Maturantët në RMV këtë vit kaluan me notë 3

    Nota mesatare të cilën e arritën maturantët në maturën shtetërore është 3,25. Krahasuar me vitet e kaluara, ka ulje e notës mesatare. Në vitin 2023 ishte 3,65, në vitin 2022 – 3,78, ndërsa në vitin 2021 ishte 3,61. Arsyeja e dobësimit të notës mesatare sipas qendrës për provim shtetëror, ishin masat më të ashpra gjatë dhënies së provimit.

    “Sivjet nota mesatare e maturës është 3,25. Krahasuar me vitet e kaluara ndoshta është pak më e ulët por duke krahasuar me atë që kemi patur më herët si mënyrë e funksionimit është notë e shkëlqyeshme sa i përket objektivitetit”, tha Biljana Mihajllovska – drejtoreshë e QPSH .

    268 nxënësve u është anuluar testi përshkak se janë kapur duke kopjuar, ose duke përdorur celularin. Prej tyre, 32 testime janë anuluar vetëm në shkollën ekonomike “Arseni Jovkov” në Shkup, 18 në shkollën medicinale “Pançe Karagjozov”, 14 në shkollën “8 Shtatori” në Tetovë, ndërsa në shkollat tjera më pak.

    “Sivjet 268 herë është shqiptuar masa e shlyerjes së testit, përshkak përdorimit të telefonit gjatë testimit, përshkak kopjimit si dhe përshkak kopjimit gjatë vlerësimit. Këtu përfshihet dhe zbulimi i identitetit të nxënësit, si dhe plagjiaturë e ndonjë tekstit që është publikuar në internet, tha Mihajllovska.

    E me qëllim për të parandaluar kopjimin dhe përdorimin e celularëve, Ministria e Arsimit ka planifikuar që që nga viti i ardhshëm, testimi të mbahet në amfiteatrot e universiteteve, dhe aty të vendosen bllokues të valëve të celularëve. Masa ndëshkuese paralajmërohen edhe për vëzhguesit dhe testuesit.

    “Zbatimi i maturës në hapësira më të mëdha dha rezultate dhe për këtë ne, sa më shpejt që të mundemi do të fillojmë bisedime edhe me universitete në shtet që të na lirojnë hapësira më të mëdha, respektivisht amfiteatre me qëllim që aty të zbatohet matura, dhe duke siguruar bllokatorë të rrjetit, me qëllim fëmijët të mos mund të përdorin mjetet e komunikimit, më saktësisht telefonat”, tha Vesna Janevska – Ministre e Arsimit.

    Përndryshe në maturën shtetërore në provim hynë gjithsej 14834 nxënës. Më 1 qershor u mbajt testimi për gjuhën amtare, ndërsa më 8 qershor për lëndën me zgjedhje. Testimi u mbajt në korridoret më të gjera dhe në sallat e sportit të shkollave, me qëllim kontrollin më të rreptë. Nxënësit që nuk janë të kënaqur me notën kanë të drejtë ankese, ndërsa nxënësit të cilët nuk kanë arritur të kalojnë provimin në qershor, kanë mundësi tjetër në muajin gusht. Paraqitja e afatit të dytë do të bëhet nga data 10 deri më datën 18 korrik, ndërsa testimi do të mbahet më 12 dhe 14 gusht. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    Ndërrohen ministra e drejtora të Onkologjisë, por problemi me terapitë për të sëmurët me kancer nuk ka zgjidhje!

    Lajmi i rradhës

    Kush është kryeministri i ri britanik, Keir Starmer?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë