Mavrovë, ngec ndërtimi i stacioneve dhe kolektorëve

    Liqeni i Mavrovës / Fotografia: Nistori

    Dibra dhe rajoni kanë shumë bukuri natyrore si dhe një pasuri të madhe të ujërave. Janë lumenjtë Radikë, Drini i Zi, përroskat e shumta si dhe liqeni i Dibrës. Është një pasuri e ujërave që rrallë kush nga qytetet e vendit e posedon. Por deri tani nuk është bërë asgjë në drejtim të mbrojtjes të këtyre ujërave që ata të mos ndoten. Është një obligim ligjor, moral por edhe ndërkombëtar, meqë pikërisht këta ujëra kanë karakter ndërkombëtar.

    Të gjithë këta ujëra bashkohen dhe si Drini i Zi, pas digës të Liqenit të Dibrës dhe hidrocentralit “Spile”, vazhdojnë rrugëtimin e tyre në Shqipëri dhe bashkohen në Drinin të Bardhë dhe pastaj derdhen në detin Adriatik. Kjo do të thotë se kemi edhe një obligim ndërkombëtar që ujërat në fjalë t’i mbrojmë nga ndotjet. Por edhe pse ka patur projekte në këtë drejtim, deri tani nuk është ndërmarr asgjë në aspekt afatgjatë.

    Lumi Radikë, ka qenë një ndër lumenjtë më të pastër në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkan. Sot situata është krejt ndryshe sepse ujërat e zeza dhe deponitë e egra nga fshatrat e Rekës së Poshtme në komunën Mavrovë dhe Rostush përfundojnë në këtë lum. Dështoi tërësisht projekti “Për Radikë të pastër”, që e financonte qeveria italiane me një investim prej afër 9 milionë euro. Informatë zyrtare deri tani nuk ka patur për shkaqet e dështimit.

    Në pushtetin lokal në komunën rurale Mavrovë dhe Rostushë thonë se as nga së afërmi nuk i ndërtuan stacionet për pastrim dhe kolektorë përgjatë lumit. Dështoi edhe ndërtimi i deponisë në fshatin Paresh dhe mbeturinat përfundojnë në Radikë dhe liqenin e Dibrës. Po e njëjtë është situata edhe me lumin Drini i Zi. Deponitë dhe ujërat e zeza nga fshatrat kufitare Xhepishtë dhe Otishan përfundojnë në ujërat e liqenit, thonë përfaqësuesit të bashkësive vendore. Përroskat që derdhen në këta lumenj dhe liqenin e Dibrës, poashtu janë plot me mbeturina. Pothuajse të gjithë deponitë e egra kur ka reshje të shiut nga komuna Qendër Zhupë përfundojnë në liqe.

    Një problem shumë i madh është edhe mungesa e kolektorëve dhe sistemeve për pastrimin e ujërave përreth liqenit të Dibrës. E njëjta ndodh edhe me liqenin e Mavrovës. Deri tani edhe pse ka shumë lokale tregtare, shërbyese por edhe hotele, nuk është ndërtuar asnjë stacion për pastrimin e ujërave por as kolektor. Problemi është diskutuar edhe nga shoqatat ekologjike dhe qytetare. Flamur Mulladauti nga Qendra për zhvillim të qëndrueshëm të komunitetit, i cili është edhe njohës i mirë i këtij problemi, thotë se problemi është shumë serioz. Ka patur edhe projekte për mbrojtjen e ujërave ndërkombëtar, ku janë edhe ujërat që kalojnë në afërsi të Dibrës, por nuk është bë asnjë hap para.

    Në një situatë të këtillë, duhet patjetër të realizohen projekte ndërkufitare për mbrojtjen e ujërave ndërkombëtar, thotë ai. Këto projekte, sigurish do të na mundësojnë edhe mbrojtje të ujërave lokal dhe në këtë drejtim ka nevojë që në mënyre rajonale Dibra dhe komunat rurale Qendër Zhupë dhe Mavrovë dhe Rostush, së bashku edhe të përgatisin projekte për të përfituar grante nga BE, për të mbrojtur ujërat të këtij rajoni më perëndimor të vendit. Në disa takime të përfaqësuesve të shoqatave qytetare nga Dibra dhe Peshkopia, veçmas është potencuar nevoja edhe atë urgjente për realizimin e këtyre projekteve. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Rrafsh 1000 euro harxhimet mujore për 4 anëtarë në RMV

    Lajmi i rradhës

    Përse duhet t’i konsumoni rregullisht lajthitë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë