Mbështetja e targetuar dhe e përkohshme për ekonominë dhe kategoritë e cenueshme vazhdon edhe sivjet

    Qeveria përmes masave të ndryshme ekonomike gjatë vitit 2021 do ta vazhdojë mbështetjen e targetuar për ekonominë dhe për kategoritë e cenueshme të qytetarëve, paralajmëroi sot ministri i Financave Fatmir Besimi dhe theksoi se mbështetja e targetuar dhe e përkohshme është një nga rekomandimet që rrjedhin nga dialogu i sivjetëm për politika ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë me vendet anëtare të BE-së dhe Bankës Qendrore Evropiane që u mbajt dje.

    Rekomandimet e dialogut vjetor, siç tha kanë për qëllim të ndihmojnë vendet e zgjerimit të BE të rritin zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.

    Besimi sot në konferencë për shtyp në Qeveri theksoi se në kushtet e valëve periodike të pandemisë, një sfidë e madhe për tonën dhe për ekonomitë e rajonit do të jetë të fillojmë përsëri në rrugën e rimëkëmbjes dhe rritjes.

    “Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm, të mos e ndalojmë përkrahjen papritmas, por gradualisht dhe të drejtuar. Përmes masave të ndryshme ekonomike, ajo vazhdon gjatë vitit 2021, duke finalizuar ato të mëparshmet dhe duke zbatuar ato të reja – dy grupe që synojnë zbutjen e efekteve të pandemisë tek më të prekshmit dhe mbështetjen e një rikuperimi më të shpejtë të ekonomisë së brendshme. Në këtë drejtim, ne do të sigurojmë mbështetje të përkohshme fiskale për ekonominë dhe kategorinë e prekshme të familjeve, si një nga rekomandimet në fushën e konkluzioneve të përbashkëta”, tha Besimi.

    Shtoi se plani për buxhetimin afatmesëm dhe Buxheti për 2022 do të parashikojnë një kthim gradual të raportit midis deficitit primar dhe BPV-së ndaj niveleve të para krizës.

    Siç theksoi, disa nga rekomandimet e tjera tashmë janë duke u zbatuar. Disa prej tyre janë ligji i ri mbi partneritetin publik-privat i cili së shpejti pritet të hyjë në procedurat qeveritare dhe parlamentare, pastaj krijimi i një këshilli fiskal dhe regjistri i ndihmës shtetërore, sektori i qëndrueshëm financiar, përmirësimi i transparencës në miratimin dhe zbatimin e ligjeve…

    Besimi paralajmëroi se përparësi do t’i jepet zbatimit të Strategjisë për zyrtarizimin e ekonomisë informale, si dhe mënyrës së re të financimit të arsimit dhe aftësimit të mesëm profesional.

    “Për ta arritur këtë, do të zhvillojmë një formulë të re për financimin e sistemit për arsimin profesional dhe të lartë, me theks në funksionimin e Qendrave Rajonale të Arsimit Profesional. Duke vepruar kështu, ne do të forcojmë qasjen në politikat aktive të tregut të punës, veçanërisht për të papunët me aftësi të ulëta dhe të prekshme.

    Në të njëjtën kohë, ne do të forcojmë kapacitetin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive të punësimit dhe qendrave për punë sociale në mënyrë që të sigurojmë shërbime të integruara dhe masa për të përmirësuar përfshirjen në tregun e punës”, sqaroi Besimi.

    Programi për reforma ekonomike, i cili është dokumenti më i rëndësishëm strategjik në dialogun ekonomik me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të BE, parashikon që rritja të arrijë 5.9 përqind në 2025, me rritjen mesatare vjetore në periudhën e vitit 2021-2025 që është 5,3 përqind./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Carovska: Me Ambasadën zvicerane dhe projektin E4E ne planifikojmë zhvillimin e arsimit profesional

    Lajmi i rradhës

    Qytetarët të interesuar për tu vaksinuar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë