Më pak dele në RMV, më pak prodhim

    Kope delesh në stanet e Shipkovicës / Fotografia: Emir Hamzi

    Ushqimi se vjen më i shtrenjtë, mungesë e fuqisë punëtore, zbrazje e fshatrave dhe ikje e të rinjve, kostoja e madhe e prodhimit vlerësohet të jenë disa nga shkaqet e uljes së madhe të numrit të dhenve në vend. Numri i dhenve në Maqedoninë e Veriut shënon ulje të madhe – nga 2.490.000 krerë dele në vitin 1989 në 724.665 në vitin 2019. Një gjendje e tillë në një masë të madhe i detyrohet ikjes së madhe të popullatës nga vendbanimet rurale në vendbanimet urbane, por edhe jashtë shtetit, ulja e fitimit, si dhe problemet me shitjen e sigurt në tregjet e jashtme. Një goditje tjetër e madhe për kultivimin e dhenve ishte edhe sëmundja e ligës dhe shapit në vitin 1996, për shkak të së cilës, Bashkimi Evropian ndaloi eksportin e mishit të qengjit nga Maqedonia që tradicionalisht shitej në Itali, Greqi dhe Kroaci. Goditje tjetër për kultivimin e dhenve ishte edhe sëmundja e quajtur “gjuha e kaltër”, që në vitin 2014, uli numrin e dhenve për disa dhjetëra mijë kafshë.

    Sipas blegtorëve, vitet e kaluar – problemi me shitjen e sigurt, mungesa e infrastrukturës përkatëse deri te stanet apo fermat e dhenve si uji, rryma, apo rrugët, objektet jo të standardizuara për ruajtjen e dhenve apo pamundësia që të intensifikohet prodhimtaria blegtorale në kushtet në të cilat ajo zhvillohet, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në prodhimtarinë e kafshëve.

    Të dhënat tregojnë se në vitin 2007 është realizuar eksport i mishit të qengjit prej 2.533.276 kg. Edhe në vitet e mëvonshme kanë mbetur shifrat e njëjta me një mesatare prej 2.5 milionë tonë eksport të vlefshme afër 13 milionë euro. Për më tepër, ulje të madhe shënon edhe numri i deleve nga 1.250.000 në vitin 2010 në 587.000 në vitin 2023. Mishi i qengjit kryesisht shkon për eksport, përderisa të dhënat statistikore tregojnë rënie të prodhimtarisë së tij për 33 për qind apo nga 4786 tonë në vitin 2010 në 3183 tonë në vitin 2020. Gjithashtu, të dhënat e 10 viteve më parë tregojnë trend të rënies së eksportit të mishit të qengjit që është zvogëluar nga 2.441.220 kg në vitin 2016 në 1.784.629 kg në vitin 2020.

    Në ndërkohë, blegtorët janë të indinjuar nga çmimet e ulëta të blerjes së mishit të qengjit. Mishi i qengjit blihet deri 240 denarë për kilogram të peshës së gjallë, që nuk arsyetohet ekonomikisht dhe nuk mund të mbulojë shpenzimet e prodhimit. Kultivuesit thonë se mishi i qengjit nuk duhet të blihet për më pak se 300 denarë për kilogram, duke pasur parasysh se mishi i qengjit shitet me çmim rreth 500 denarë për kilogram te kasapët.

    Njohësit e kësaj problematike thonë se po shiten tufa të tëra delesh, të rinjtë nuk duan të merren me blegtori dhe po shpërngulen masivisht. Brezi aktual i barinjve, që janë në rreth 50-vjeç, do të jetë i fundit që do të rrisë dhentë. Përkundër faktit se ky problem ekziston për një kohë të gjatë, shteti akoma nuk ka Strategji për ta zgjidhur, bile ka edhe vonesa të subvencioneve vitet e kaluara që thellojnë problemin, si dhe po ulin fuqinë punëtore në blegtori. Aktualisht çmimi grumbullues për mishin e qengjit prej 220-230 denarë mezi i mbulon shpenzimet, sepse çdo gjë është shtrenjtuar – duke filluar nga ushqimi i kafshëve, krahu i punës etj, ndërsa vlerësohet se një çmim prej 300-400 denarë do të ishte me leverdi për blegtorët. Nga ana tjetër, në treg, çmimi i mishit të qengjit për festat e Pashkëve këtë vit do të jetë mbi 660 denarë për kilogram. Pritet të jetë i ngjashëm me atë të Italisë, ku për një kilogram ndahen 11 euro.

    Por, blegtorët janë të zhgënjyer nga çmimi i ulët i blerjes prej rreth 220 denarë për kilogram në disa rajone, si dhe masa e re që i detyron ata të dorëzojnë 50% të qengjave të tyre në thertore.

    Ministria e Bujqësisë ndërkohë sqaron se masa e re për mbështetje synon të arrijë saktësi më të madhe në monitorimin e tufave dhe barinjve. Blegtorët thonë se jashtë sezonit të pikut, çmimi i blerjes së qengjit ishte i ulët, por që qengjat duhet të shiten kur të arrijnë madhësinë e shitjes.

    “Nuk mund të presësh për orët e pikut për të arritur një çmim më të lartë. Periudha e rritjes së qengjit është dy muaj, që do të thotë se duhet të shitet brenda 60 ditëve, prandaj është shumë e rëndësishme që të ketë blerje të vazhdueshme të qengjave gjatë gjithë vitit. Kishte vite që kishte treg për qengjin më të rëndë, gjë që nuk ndodhi këtë vit. Mund të eksportohet deri në 35 kilogramë, por jo më shumë se kaq. Qengjat më të vjetër se pesë muaj janë të vështirë për t’u shitur. Disa fermerë i kthyen qengjat nga thertorja. Kjo nuk është e drejtë dhe duhet të hetohet pse është kështu”, thotë Nikolla Georgiev, përfaqësues i kultivuesve të dhenve.

    Në dobësimin e kësaj dege të blegtorisë, sipas blegtorëve, ka ndikuar edhe reduktimi i subvencioneve për qengjat femra dhe subvencionet për viçat femra, të cilat më herët ishin përjashtuar. Për të përmirësuar situatën në blegtori, blegtorët propozojnë futjen e granteve për blerjen e deleve dhe lopëve me prodhimtari të lartë. Pas heqjes së masës për qengja femra, ka mbetur vetëm masa për qengjat e dorëzuar në thertore, e cila është shumë e vogël dhe arrin në vetëm 400 denarë. Për këtë, numri i deleve është zvogëluar në mënyrë drastike, sepse fermerët nuk kanë pasur mbështetje nga shteti dhe kanë filluar t’i shesin.

    Problem më vete është edhe mungesa e barinjve, madje edhe pse paga mujore ka arritur në 1000 euro. Paga kaq e lartë e ka bërë këtë një profesion specifik që kërkon përgjegjësi dhe përkushtim, që do të thotë kujdesi për tufën, kullotja, mbrojtja nga sëmundjet, mjelja dhe ushqyerja e saj 14 orë në ditë, 365 ditë në vit. Barinjtë vazhdimisht jetojnë jetë të ndarë nga familjet e tyre dhe punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira të motit, nga vera e nxehtë deri në dimrat polar, por ata duhet të jenë gjithashtu të kujdesshëm ndaj sulmeve të kafshëve të egra.

    Në shpalljet për punësimin e barinjve, pronarët kopeve kërkojnë vazhdimisht barinj dhe ofrojnë paga në varësi të përvojës. Në këtë shumë nuk përfshihet ushqimi dhe akomodimi, pasi paguhen veçmas nga pronarët e vathëve, kështu që bariu nuk ka shpenzime shtesë për transportin apo ushqimin që do të duhej t’i zbritet nga paga e tij neto.

    Ndryshe, për kultivuesit e dhenve – viti i kaluar ishte një vit i vështirë me një verë të thatë, një dimër plot sëmundje për qengjat. Kjo situatë ka reduktuar numrin e qengjave për t’u shitur, si dhe çmimi i ulët i peshës së gjallë i ka vënë blegtorët në pozitë të rëndë. Të shesësh me një çmim të ulët apo të mbash një qengj – ishte pyetja kryesore për të mbijetuar dhe për të vazhduar me blegtorinë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Dhuna në spitalet e RMV gjithnjë në rritje

    Lajmi i rradhës

    Politika e azilit – Kosova në listën e BE si vend i sigurtë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë