Më pak fëmijë në kopshte! Stagnon sistemi i edukimit të hershëm në Maqedoni

    Mungesa e vendeve në kopshtet e fëmijëve dhe vështirësitë për sigurimin e përkujdesjes institucionale për më të vegjlit mbetet një nga problemet më të theksuara sociale në vend gjatë viteve të fundit. Pavarësisht kërkesës së vazhdueshme nga prindërit dhe nevojës për zgjerim të kapaciteteve, sistemi i edukimit të hershëm vazhdon të përballet me sfida strukturore, duke filluar nga infrastruktura e pamjaftueshme deri te kapacitetet e kufizuara për pranimin e fëmijëve. Në një kohë kur pjesëmarrja e grave në tregun e punës lidhet drejtpërdrejt me qasjen në shërbime të tilla, funksionimi i kopshteve mbetet një çështje që tejkalon edukimin dhe prek drejtpërdrejt mirëqenien sociale dhe ekonomike të familjeve, shkruan gazeta KOHA.

    Të dhënat më të fundit tregojnë se gjatë vitit 2025 nuk ka pasur përmirësim të dukshëm në këtë drejtim. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), në gjithsej 117 institucione publike dhe private për përkujdesje dhe edukim të fëmijëve, kopshte dhe qendra për zhvillimin e hershëm, janë regjistruar 37.742 fëmijë. Krahasuar me vitin paraprak, kur funksiononin 118 institucione me 37.871 fëmijë të regjistruar, vihet re një rënie prej 0.8 për qind në numrin e institucioneve dhe 0.3 për qind në numrin e fëmijëve.

    Edhe pse rënia në shifra është minimale, ajo reflekton një stagnim të sistemit, i cili për vite me radhë nuk po arrin të ndjekë nevojat reale të qytetarëve. Në vend të zgjerimit të rrjetit të kopshteve, të dhënat tregojnë për një ulje të lehtë të kapaciteteve, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet e këtij trendi, qoftë si pasojë e zhvillimeve demografike, emigrimit apo mungesës së investimeve në këtë sektor.

    Në praktikë, situata mbetet kontradiktore, ku derisa statistikat tregojnë rënie të lehtë të numrit të fëmijëve të regjistruar, shumë prindër vazhdojnë të përballen me lista pritjeje dhe mungesë vendesh në institucionet publike, veçanërisht në zonat urbane. Kjo shpesh i detyron ata të drejtohen drejt kopshteve private, të cilat për shumë familje paraqesin barrë shtesë financiare. Adisa Muadini nga Shkupi, e cila prej muajsh pret për një vend në një kopsht publik për fëmijën e saj, për gazetën KOHA thotë se përballja me sistemin është bërë gjithnjë e më e lodhshme. “Kam aplikuar në disa kopshte, por gjithkund më thonë se nuk ka vende dhe se duhet të pres. Ndërkohë, jam në punë dhe nuk kam zgjidhje tjetër. Kopshtet private janë shumë të shtrenjta për buxhetin tonë dhe nuk mund t’i përballojmë për një kohë të gjatë. Në fund, mbetem e detyruar të kërkoj zgjidhje të përkohshme ose të heq dorë nga puna”, tha ajo.

    Në këtë kontekst, çështja e edukimit të hershëm nuk mbetet vetëm problem i sistemit arsimor, por shndërrohet në një sfidë më të gjerë sociale, që lidhet me politikat familjare, zhvillimin demografik dhe barazinë në tregun e punës. Pa një qasje më aktive dhe investime të qëndrueshme, stagnimi i shifrave rrezikon të maskojë një problem që në terren vazhdon të thellohet. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Ulet prodhimi industial në Maqedoni për 4,2 për qind

    Lajmi i rradhës

    Më pak dhurues të gjakut në RMV, por nevojat plotësohen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë