Më pak se gjysma e fëmijëve në Maqedoni jetojnë të rrezikuar nga varfëria dhe përjashtimi social (TABELA)

    Më pak se gjysma e fëmijëve në Maqedoni jetojnë të rrezikuar nga varfëria dhe përjashtimi social. Shifrat më të fundit të publikuara nga EUROSTAT-i, sinjalizojnë se rreth 40 për qind e tyre vlerësohen në rrezik varfërie apo përjashtimi social, shifra këto ndër më të lartat në Evropë.

    “Rreziku për të qenë i varfër apo përjashtimi social” i referohet individëve të prekur nga të paktën një prej tre formave: varfëri në të ardhura, privim i rëndë material dhe privim social, apo intensitet mjaft i ulët pune. Kështu vendi renditet i pesti në Europë. Pas Shqipërisë që mban rekord në kontinentin e vjetër në këtë drejtim, ndjek Mali i Zi, me një normë pranë 45.8 për qind, Turqia me 43.4 për qind, Rumania me 41.5 për qind dhe Maqedonia e Veriut me 39.7 për qind. Fëmijët janë të përfaqësuar në këto statistika nëpërmjet njësive së tyre familjare. Dhe janë shqetësuese, sepse hulumtimet kanë treguar se varfëria tek fëmijët ndikon në të gjitha aspektet e jetës dhe mund të ketë pasoja afatgjata në zhvillimin fizik, konjitiv dhe social të fëmijëve.

    Sipas të dhënave, në Maqedoninë e Veriut – vetëm 1 në 300 fëmijë të varfër ndjekin arsimin parashkollor dhe një e treta e fëmijëve të varfër nuk shkojnë në shkollë të mesme. Vajzat që jetojnë në varfëri kanë gjashtë herë më shumë gjasa të martohen para ditëlindjes së tyre të tetëmbëdhjetë, dhe fëmijët e varfër kanë dy herë më shumë gjasa të disiplinohen fizikisht nga prindërit e tyre sesa fëmijët e tjerë. Sipas të dhënave zyrtare më të fundit varfëria në vend vazhdon të thellohet dhe numri i njerëzve dhe familjeve që luftojnë skamjen është rritur me mbi 21 për qind.

    Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, viti 2020 shënoi një rritje të shkallës krahasuar me një vit më parë (3800 persona më shumë), duke e çuar në rreth 452 mijë numrin e personave që jetojnë në pragun e varfërisë (në vitin 2019 figuronin mbi 448 mijë persona). Sa i takon familjeve, shkalla më e lartë e varfërisë është tek familjet me dy apo më shumë fëmijë, 45.6 për qind, si edhe familjet me vetëm një prind, 41.6 për qind.

    Të dhënat nga Treguesit e Varfërisë në Laeken tregojnë se varfëria më e thellë, prej 30.2 për qind, gjendet tek të rinjtë nën moshën 17 vjeç. Ndërkohë, mesatarja evropiane e individëve nën 18 vjeç të cilët janë në rrezik varfërie apo përjashtimi social fiksohet pranë 23.8 për qind, sinjalizojnë shifrat e publikuara nga EUROSTAT-i. Nga krahu i kundërt i tabelës ndërkohë, ku renditen shtetet me përqindjen më të ulët të fëmijëve në rrezik varfërie apo përjashtimi social gjejmë Danimarkën, ku norma fiksohet në 13.4 për qind, Çekinë, me një normë pranë 12.9 për qind dhe Slloveninë me 12.1 për qind. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Ndërtimtarët në Maqedoni nuk kanë shpresa se do bëhet mirë!

    Lajmi i rradhës

    Scholz në Shkup: Maqedonia e Veriut i ka përmbushur të gjitha parakushtet për fillimin e negociatave për anëtarësim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë