Më shumë grupe parlamentare në Kuvend pritet të mbështesin ndryshimet ne Kodin Zgjedhor, por jo dhe FE-ja

    VMRO-DPMNE, VLEN, ZNAM dhe LSDM kërkojnë ndryshimin e Kodit zgjedhor dhe rregullimin e dispozitave që shfuqizoi Gjykata Kushtetuese rreth kandidatëve të pavarur në zgjedhje. Kushtetuesja në maj tha se mbledhja e të paktën 1% e nënshkrimeve nga votuesit në njësinë zgjedhore, gjegjësisht në komunën përkatëse nga kandidatët e pavarur dëmton pluralizmin dhe vlerat themelore Kushtetuese. Partitë tani detyrohen të kthejnë dhe të modifikojnë dispozitat e vjetra me të cilat parashikohen që kandidatët e pavarur duhet të mbledhin 1000 nënshkrime për zgjedhjet parlamentare dhe nga 100 deri më 3500 nënshkrime për zgjedhjet lokale, varësisht numrit të votuesve në komunë. Propozuesit thonë se janë përfshirë edhe disa rekomandime të ODIHR-së.

    BDI-ja mohon propozimin duke thënë që prishet praktika e ndryshimit të Kodit zgjedhor me konsensus më të gjerë. Për më tepër, sipas tyre, ndryshimet e propozuara nuk përfshijnë disa nga rekomandimet më të rëndësishme të ODIHR-së.

    “Nëse rrëzojmë konsensusin dhe injorojmë shtetin e së drejtës ne rrezikojmë të zhbëjmë vetë legjitimitetin e proceseve zgjedhore. Prandaj në emër të interesit publik, e kemi kërkuar si Front Evropian dhe vazhdojmë të mbajmë të njëjtin qëndrim që ky propozim duhet të tërhiqet dhe nuk duhet të kalojë përmes procedurës së shkurtuar”, deklaroi Rina Ajdari, Fronti Evropian (FE).

    Sipas Frontit Evropian, ODIHR-ja kishte rekomanduar të rishikohet mënyra e vendimmarrjes në KSHZ gjatë shqyrtimit të ankesave në zgjedhje dhe të mos prishet vendvotimi për shkak të gabimeve teknike në procesverbale, rekomandime të cilat thonë se nuk janë në propozim-ligj.

    Propozim-ndryshimet nuk i mbështet as E Majta.

    “Duket qartë se politika nuk dëgjon aspak asnjë faktor ndërkombëtarë dhe të vendit të cilët merren me problematikën e zgjedhjeve dhe të cilët vazhdimisht theksojnë se mekanizmat zgjedhor në Maqedoni e para nuk janë përfaqësuese dhe janë kufizuese sa u takon kandidatëve në zgjedhje”, tha Amar Mexhinoviq, E Majta.

    Shumica parlamentare thotë se ndryshimet që BDI-ja kundërshton, janë të njëjtat që kanë qenë në fuqi në kodin e kaluar zgjedhor të miratuar me konsensus. Sipas tyre, boshllëku ligjor pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të tejkalohet.

    “Nëse tani nuk i miratojmë këto ndryshime ligjore, ai boshllëk ligjor do të mbetet dhe ju si duket nuk doni që të kandidojnë lista të pavarura në këto zgjedhje. Bëni thirrje të ketë gjithëpërfshirje edhe të kandidatëve të pavarur por nuk lejoni që ta tejkalojmë boshllëkun ligjor. Këto ndryshime vinë nga Kodi i kaluar zgjedhor të cilin e sollëm me konsensus në Kuvend në të cilët jemi nënshkruar unë, Martin Kostovski dhe Arbër Ademi si përfaqësues i BDI-së”, u shpreh Nikolla Micevski, Koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së

    Ndryshimet miratohen me shumicë prej të paktën 61 deputetësh. Votimi u shty për një moment tjetër, për shkak se ligji kërkon edhe shumicën e Badenterit në nenet që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale.

    ODIHR-ja rekomandon që Kodi zgjedhor të mos ndryshohet të paktën gjashtë muaj para zgjedhjeve dhe të përpilohet një Kod tërësisht i ri zgjedhor. Ministria e Drejtësisë thotë se tashmë ka formuar grupet e punës, për ligjin e ri. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Mbeturinat në Drislla shkaktojnë “kokëçarje” për banorët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë