Më shumë para për pensionistët në RMV

    Dy pensionistë të ulur para objektit të Shoqatës së pensionistëve në Tetovë / Fotografia: Nistori

    Pensionistët shumë shpejt do të përfitojnë një rritje të re të pensioneve. Rritja prej 2500 denarë për të gjithë pensionistët, e parashikuar si për muajin shtator ashtu edhe për muajin mars, do të realizohet përmes një vendimi ligjor. Amendamentet ligjore që janë dorëzuar tashmë në Parlament parashohin një rritje të dytë të pensioneve, që do të jetë në vlerë prej 2500 denarë dhe do të hyjë në fuqi nga data 1 mars 2025.

    Në Maqedoni, sigurimi i detyrueshëm pensional dhe invalidor si fushë është i rregulluar me Ligjin për sigurimin pensional dhe invalidor, i cili rregullon metodologjinë për përshtatjen e pensioneve. “Neni 18 paragrafi (3) shfuqizon dispozitën sistematike të Ligjit në periudhën nga 1 shtatori 2024 deri më 31 gusht 2025. Gjatë kësaj periudhe, pensionet do të rriten për 2500 denarë fiks më 1 shtator 2024 dhe 1 mars 2025”,- thuhet në amendamentet e propozuara.

    Ligji po ashtu thotë se zgjidhja e miratuar më parë për korrigjimin e pensioneve mbetet në fuqi, bazuar në formulën 50/50, gjegjësisht sipas lëvizjes së indeksit të kostos së jetesës në vlerë prej 50 për qind dhe rritjes së pagës mesatare të paguar për të gjithë të punësuarit në Maqedoni edhe në masën 50 për qind.  Rritja prej 2500 denarë është rritje e jashtëzakonshme, e cila del nga kjo rregull. Në amendamentet e dorëzuara në Parlament, theksohet se ndryshimet e propozuara rregullojnë më tej kushtet për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe Pensionale.

    “Rregulloret e reja përcaktojnë se për të mbajtur këto pozita, drejtorët duhet të kenë një certifikatë ose miratim që vërteton aftësinë në njërën nga tre gjuhët më të përdorura të Bashkimit Evropian”, thuhet më tej në amendament.

    Sipas propozim-ligjit të dorëzuar në Parlament, drejtor ose zëvendësdrejtor i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe Pensionale mund të emërohet një person fizik, shtetas i Maqedonisë, që ka arsim të lartë dhe përvojë pune prej pesë vjetësh në fushat e drejtësisë, financave, ekonomisë dhe sigurimit pensional. Ky person duhet të paraqesë Programin për punën e Fondit dhe të zotërojë një nga certifikatat ose vërtetimet ndërkombëtarisht të njohura që vërtetojnë njohjen aktive të gjuhës angleze, që nuk duhet të jetë më e vjetër se pesë vjet. Ndër të tjera, propozim-ligji thotë se rritja e pensioneve do të vlejë për pensionistët që jetojnë në Maqedoni.

    Rritja e pensioneve në përputhje me Ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, në procedurë të shkurtuar, u propozohet përfituesve të pensioneve të cilëve u paguhet pensioni në Republikën e Maqedonisë së Veriut – thuhet në propozim-ligj. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Trajtimet efektive dhe të shpejta për fytin në kushtet e shtëpisë

    Lajmi i rradhës

    Ulet çmimi i grurit në RMV, por jo edhe i bukës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë