“Mendoj për Ty” në Strasburg, kujtesë për 20 mijë viktimat e dhunës seksuale në Kosovë

    Artistja nga Kosova me famë ndërkombëtare, Alketa Xhafa-Mripa, ka ngritur instalacionin e saj të njohur “Mendoj për Ty” në qytetin e Strasburgut, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e veprës së artistes.

    “Puna e Alketa Xhafa-Mripës e ka kthyer dhimbjen në motiv dhe heshtjen në kujtesë të fuqishme publike.”, shkroi Kurti.

    Ai nënvizoi se përmes artit të saj, Kosova qëndron krenare, jo vetëm si një vend që ka duruar, por edhe që udhëheq në kërkim të drejtësisë.

    Instalacioni “Mendoj për Ty” është një homazh për 20,000 gratë, fëmijët dhe burrat e dhunuar gjatë luftës në Kosovë, dhe synon të jetë një simbol i qëndresës, kujtesës kolektive dhe thirrjes për llogaridhënie.

    “E rrënjosur në vuajtjet e të mbijetuarve të Kosovës, puna e Alketës tejkalon kufijtë. Ajo kujton, por edhe kërkon. Zgjon ndërgjegjen, bën thirrje për llogaridhënie dhe këmbëngul që drejtësia duhet të mbizotërojë,” theksoi Kurti.

    Strasburgu, si kryeqyteti evropian i të drejtave të njeriut, shërben si vend simbolik për këtë vepër, duke i dhënë zë të mbijetuarve dhe theksuar rëndësinë e drejtësisë në procesin e shërimit pas luftës.

    Kryeministri në detyrë tha se “Nuk mund të ketë shërim pa drejtësi. Nuk ka paqe pa i dhënë fund pandëshkueshmërisë.” 

    Lajmi Paraprak

    Në Hagë, për nesër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë