Mërgimtarët po rrisin çmimin e banesave në Dibër

    Në vitin 2024, në Dibër janë ndërtuar një numër i konsiderueshëm i banesave kolektive. Interesi për blerjen e banesave ndikoi te biznesmenët, që ata të investojnë në pjesën më të madhe ndërtime të banesave, meqë edhe profiti më i madh ka qenë në sferën e ndërtimit.

    Viti që kaloi, pikërisht në sferën e investimeve karakterizohet me ndërtimet masive të banesave për shkak të kërkesave të shumta sidomos nga ana e mërgimtarëve dibran që jetojnë në shtetet e Evropës dhe SHBA-ve. Kjo situatë ka rritur edhe çmimet të banesave, të cilët në vitin 2024 kanë arritur lartësi prej 800 deri më 900 euro për metër katror, kurse objektet afariste kanë çmime dyfish më të mëdha.

    Gjatë vitit që kaloi, filloi ndërtimi i 16 ndërtesave kolektive që paraqet një numër të madh në krahasim me numrin e banorëve në Dibër. Nëse kemi parasysh faktin se sipas regjistrimit të fundit, Dibra si qytet nuk ka më shumë se 15 mijë banorë, atëherë bëhet qarët se në blerjen e banesave dominojnë mërgimtarët dibran. Në bisedë me disa pronarë të kompanive të ndërtimit qa janë nga Dibra, por jo vetëm, u informuam se mbi 65 për qind të banesave u janë shitur mërgimtarëve. Këto kompani ndërtimi potencojnë se nga viti në vit rritet numri i mërgimtarëve të cilët blejnë banesa në vendlindje. Ata pohojnë se interesimi për investime në ndërtimin e banesave pikërisht është për shkak të rritjes të interesimit për blerje.

    Përveç blerjes të banesave, vitin që kaloi është regjistruar edhe dukuria e blerjes së parcelave për ndërtime edhe për banesa individuale, dhe ndërtimin e vilave për rekreim. Derisa ndërtesat kolektive deri tani janë ndërtuar në disa pjesë atraktive të qytetit, aktualisht në Dibër po ndërtohet për herë të parë një kompleks i madh banesor i quajtur “Plisi”. Kompleksi resort dot ketë edhe objekte sporadike, si dhe hapësirë të gjelbër, dhe ndërtohen në trojet të ish-ndërmarrjes “Spiletrans”.

    Këto ditë në Dibër takuam Agron F. i cili jeton në SHBA, dhe nga Dibra ka migruar para dy dekadave. Ai thotë se ka blerë një banesë në pjesën qendrore të qytetit.

    “Dëshira e familjes time ishte të kemi një banesë në vendlindje. Banesa posedon 90 metër katror dhe kënaq nevojat e familjes, e cila jeton në Nju Jork. Kur vijmë në Dibër, kemi dëshirë të kemi banesën tonë”, thotë për Koha, Agroni 56-vjeçar.

    Kur jemi tek investimet në sferën e ndërtimit, pushteti vendor disa herë ka kërkuar që biznesi privat të investojë edhe në sfera tjera.

    Kryetari i Komunës Dibër, Hekuran Duka, ka deklaruar se biznesmenët lokal, por edhe ata nga diaspora, tani më disa vite investojnë vetëm në ndërtimin e banesave. Por siç thotë ai, ata duhet të investojnë edhe në ndërtimin e punëtorive, fabrikave dhe biznese të tjera.

    Ndryshe, tre dekadat e fundit kërkesa për të jetuar në banesa kolektive është dyfishuar në krahasim me banimin në shtëpi për banim individual. Në këtë drejtim, ndikim ka mentaliteti i bashkëshortëve të ri, si dhe siguria më e madhe e banesave sidomos për mërgimtarët.

    Lajmi Paraprak

    DËSHTIMI I 14 TENDERËVE! / E 15-ta e vërteta për Çebrenin!

    Lajmi i rradhës

    Anulohet sërish seanca gjyqësore për zjarrin në spitalin modular të Tetovës!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë