Merzi e sheh Gjermaninë “përsëri në skenën ndërkombëtare”

    Sipas Kancelarit Merz, në botë perceptohet një “vendosmëri e re” nga ana e Gjermanisë, në sajë të qeverisë së re. Në deklaratën e tij qeveritare, ai kërkoi një armëpushim në Gaza dhe vendosmëri ndaj Rusisë.

    Vetëm disa javë pas formimit të qeverisë së re federale, Gjermania është “rikthyer në skenën evropiane dhe ndërkombëtare”, sipas KancelaritFriedrich Merz. “Ne u kemi treguar partnerëve tanë ndërkombëtarë se mund të na besojnë”, tha kancelari gjerman në një deklaratë qeveritare në Bundestag. “Kjo vendosmëri e re ndihet në të gjithë botën dhe është shumë e mirëpritur nga partnerët dhe miqtë tanë”. 

    Merzi mbajti një deklaratë qeveritare mbi samitin e ardhshëm të NATO-s dhe samitin pasues të BE. Gjermania mund të kontribuojë në formësimin e zhvillimit global në vitet e ardhshme përmes aleancave të saj, deklaroi ai. Kjo kërkon një objektiv të dyfishtë: “Ne kemi nevojë për forcë dhe besueshmëri, si brenda ashtu edhe jashtë.”

    Merzi bëri përsëri thirrje për trajtim dinjitoz të njerëzve në Rripin e Gazës, “veçanërisht grave, fëmijëve dhe të moshuarve”. Ai deklaroi se tani është koha e duhur për të arritur një armëpushim në këtë rajon.

    Në të njëjtën kohë, duke iu referuar Iranit, ai pohoi se Izraeli ka të drejtë të mbrojë ekzistencën e tij dhe sigurinë e qytetarëve të tij. “Pa Iranin, 7 tetori 2023 nuk do të kishte qenë i mundur”, deklaroi Kancelari. Irani mbështet Hamasin, Hezbollahun dhe milicinë Huthi.

    Merz: Rusisë i mungon vullneti për paqe

    Lidhur me Ukrainën, Merzi dënoi sulmet e fundit ajrore ruse. “Një paqe e vërtetë dhe e qëndrueshme kërkon vullnet për paqe nga të gjitha palët”, deklaroi ai. Megjithatë, me valën e re të sulmeve kundër civilëve ukrainas,  Rusiaka demonstruar “në mënyrë barbare” se “aktualisht i mungon ai vullnet për paqe”.

    Në të njëjtën kohë, Merzi hodhi poshtë kritikat se mjetet diplomatike nuk po shterohen në konfliktin e Ukrainës. Presidenti rus Vladimir Putin kupton vetëm “gjuhën e forcës”, deklaroi Merzi. “Dhe kjo është arsyeja pse të punosh për paqen tani do të thotë të flasësh edhe në atë gjuhë”. “Të dorëzohesh ndaj agresionit dhe të braktisësh vendin tënd” nuk është një zgjidhje.

    “Tarifat doganore nuk i sjellin dobi askujt”

    Lidhur me mosmarrëveshjen e tarifave me SHBA, Merzi shprehu optimizëm për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje deri në fillim të korrikut. “Megjithatë, nëse kjo nuk është e mundur, ne jemi gjithashtu të përgatitur me një numër opsionesh”, deklaroi ai: “BE mund dhe do të mbrojë interesat e saj”.

    Megjithatë, përshtypja e tij pas bisedimeve me Presidentin e SHBA-së Donald Trump është se SHBA janë gjithashtu të interesuara të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Evropën, dhe veçanërisht me Gjermaninë, për çështjet ekonomike. “Tarifat doganore nuk i sjellin dobi askujt. Ato i dëmtojnë të gjithëve”, theksoi Merz. Prandaj, është në interesin e të gjithëve që konflikti tregtar me SHBA-në të mos përshkallëzohet. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Urat mbi Ibër: zhvillim për disa, ide pa kuptim për të tjerët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë