MES INTEGRIMIT DHE IZOLIMIT! | Qeveria intensifikon fushatën për ndryshimet kushtetuese

    Nëse nuk votohen ndryshimet kushtetuese dhe nëse nuk i përfshijmë bullgarët në Kushtetutë, atëherë patjetër do të hyjmë në izolim dhe do të jemi pjesë e familjes së shteteve pa perspektivë afatgjatë, pohojnë përfaqësues të lartë të qeverisë. Varianti i parë, thonë ata, është përfundimi i ndryshimeve kushtetuese dhe vazhdimi, pra hapja e kapitullit të parë, ndërsa varianti i dytë është mospërfundimi i ndryshimeve kushtetuese dhe ndërprerja e negociatave, në të cilën Shqipëria do të vazhdon vet negociatat me Unionin dhe Maqedonia e Veriut do të hyjë në një dekadë të izolimit total.

    Në aksionin paralajmërues u përfshi drejtpërdrejt edhe ministri aktual i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili tha se Bashkimi Evropian është oksigjeni ynë, pa të cilin do të ngufatemi dhe nuk mund të jetojmë. Ai në konferencën për media nuk e humbi rastin të përmendë edhe marrëdhëniet ndëretnike, gjegjësisht rrezikun e prishjes së mundshme të tyre nëse nuk votohen ndryshimet kushtetuese dhe bullgarët nuk përfshihen në Kushtetutë.

    Kjo fushatë e qeverisë sipas ish kryeministrit Ivica Bocevski, është një fazë jashtëzakonisht e turpshme. “Mendoj se fushata e pushtetit hyn në një fazë të turpshme sapo të ngrihet tema e frikësimit me tensione ndëretnike, izolimit dhe të mbeturinave të repertorit tashmë të rraskapitur. Nuk do të ishte keq që qeveria të kujtonte thënien e famshme të Abraham Lincoln: ‘Mund të gënjeni pak njerëz gjatë gjithë kohës, mund t’i gënjeni të gjithë njerëzit disa herë, por nuk mund t’i gënjeni të gjithë njerëzit gjatë gjithë kohës’. Maqedonasit me të drejtë e refuzojnë propozimin e Kovaçevskit dhe Petkovit sepse brenda tij fshihen shumë rreziqe për identitetin maqedonas. Fatkeqësisht, oportunistët politikë janë edhe një herë gati për të hyrë në aventura të reja dhe të panevojshme, por koha e tyre tashmë ka kaluar. Politika e jashtme e ish kryeministrit Zoran Zaev ka pësuar një debakël të plotë”, tha ai gjatë një paraqitje televizive.

    Analisti politik, Sinisha Pekevski, nga ana tjetër, mendon se duhet t’i marrim seriozisht paralajmërimet e dhëna nga qeveria. “Paralajmërimet e dërguara nga qeveria janë reale. Kemi parë që autoritetet janë të gatshme të bëjnë gjithçka vetëm për të arritur atë që duan. Kontratën me ‘Bechtel dhe Enka’ e kanë kaluar pa marrë parasysh korrupsionin, mostransparencën dhe pa marrë parasysh se vetë BE-ja u ka thënë se ligjet nuk mund të ndryshohen me flamur evropian. Dhe çfarë ndodhi? Asgjë. Pra, sinqerisht besoj se autoritetet janë absolutisht të gatshme për çdo gjë. Ajo politikë e lejueshmërisë dhe servilizmit të vazhdueshëm nga ana e LSDM-së ka treguar se i arsyeton qëllimet e saj, e në anën tjetër është BDI, përkrahësit e së cilës nuk kujdesen shumë për interesat maqedonase”, thekson Pekevski.

    Profesoresha Mirjana Maleska kërkon pranimin e ndryshimeve të Kushtetutës për të përfshirë bullgarët në të si një rrezik më i ulët.  “Po, ka pasiguri dhe një rrezik të caktuar për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, por rreziku është pakrahasueshëm më i madh që Maqedonia të mos vazhdojë negociatat për anëtarësim, të humbasë busullën dhe të bjerë prapa fqinjëve. Ai do të intensifikojë konfliktin midis Shkupit dhe Sofjes, do ta copëtojë shoqërinë nga brenda dhe do të krijojë potencialin për destabilitet rajonal. Nuk ka kohë për lojëra dhe nuk jam e sigurt se konteksti ndërkombëtar e lejon një gjë të tillë”, thotë Maleska. Të gjithë ata që e kuptojnë këtë dhe e duan vendin, tha ajo, do ta pranojnë rrezikun më të ulët me të dyja duart dhe do të mbështesin ndryshimet kushtetuese. “Supozoj se edhe opozita është në dilemë: a do të shikojë t’i fitojë këto zgjedhje në një afat të shkurtër apo do të ndërtojë pozicionin e saj si parti e përgjegjshme shoqërore”, shprehet Maleska.

    Ndërkaq, edhe presidenti i vendit, Stevo Pendarovski ka theksuar se vendosja e komuniteteve më të vogla etnike në Kushtetutë, duke përfshirë edhe bullgarët, nuk do ta rrezikojë sigurinë e shtetit, as nuk do ta lëkund stabilitetin tonë të brendshëm. “Pikërisht për këtë shkak e kam përkrahur procesin për ndryshime kushtetuese dhe delegova përfaqësues timin në trupin punues. Dhe tërë kjo varet nga ne dhe gatishmëria e jonë që ta pranojmë diversitetin si e mirë të përgjithshme”, tha Pendarovski.

    INTEGRIMI I BALLKANIT, INVESTIM NË SIGURINË E EVROPËS

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në kuadër të Samitit të katërt të Këshillit të Evropës, mori pjesë në tryezën e rrumbullak pas dyerve të mbyllura, ku u diskutua për modelet për ruajtjen dhe zhvillimin e demokracisë në kohë të rreziqeve të mëdha për të.

    “Në diskutim, Kryeministri Kovaçevski u fokusua në detyrimin e të gjitha vendeve që të dënojnë ashpër agresionin kundër parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe rendit botëror, duke përfshirë demokracinë, si dhe të tregojnë solidaritet dhe unitet në mbrojtjen e vlerave morale, veçanërisht në një kohë sfidash globale. Çdo formë agresioni dhe vuajtjeje e popullatës civile, si mjet për arritjen e një qëllimi, u vlerësua si i papranueshëm”, informojnë nga pres shërbimi i Qeverisë. Gjithashtu u theksua rëndësia e integrimit të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, si një investim në përforcimin e sigurisë së Evropës, për të cilën zhvillimi i demokracisë dhe të drejtave të njeriut janë themelet kryesore. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Dibër, rritet interesimi për arsimin profesional

    Lajmi i rradhës

    Gjithçka rreth finales në Ligën e Kampionëve: Vendi, data, ora dhe rruga e ekipeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë