MES PRODUKTEVE VENDASE DHE TË LIRA! | Zgjedhja që varet nga xhepi

    Në një kohë kur prodhimi bujqësor në vend po përballet me ulje të sipërfaqeve të tokës së punueshme dhe rritje të fragmentuar të prodhimit, Qeveria po tenton të orientojë konsumatorët drejt tregut vendas. Statistikat më të fundit tregojnë se në vitin 2024 janë regjistruar 506.586 hektarë tokë të punueshme, ndërsa është shënuar një rënie në kopshtet dhe vreshtat me përkatësisht 2 dhe 1.7 për qind.

    E vetmja rritje modeste është regjistruar në pemishte me 3.1 për qind, ndërkohë që prodhimi i frutave si mollët dhe qershitë është rritur përkatësisht me 59 dhe 41 për qind. Por këto shifra pozitive vijnë paralelisht me rënie të prodhimit të orizit dhe lulediellit, që tregojnë se balanca bujqësore është ende e brishtë. Në këtë sfond, Qeveria bëri nisjen e fushatës “Bli produkte bujqësore vendase”, me qëllim që qytetarët të orientohen drejt konsumit të produkteve të prodhuara nga fermerët e vendit.

    “Qytetarët do të jenë në gjendje të blejnë produkte bujqësore vendase në markete, dhe çdo produkt që prodhohet në Maqedoni ose importohet nga jashtë do të etiketohet. Kjo jo vetëm që do të rrisë kërkesën e tregut, por do ta rrisë edhe prodhimin bujqësor. Nëse më parë kishim një situatë ku fushat braktiseshin, tani do t’i inkurajojmë bujqit të kthehen në fusha me punën e tyre”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

    Ndërsa, nga Ministria e Bujqësisë vlerësojnë se përmes kësaj fushate do të ndryshojë sjellja e konsumatorëve, do të rritet kërkesa për prodhime vendore dhe për pasojë do të stimulohet edhe vetë prodhimi bujqësor.

    “Përmes kësaj fushate duam të nxisim qytetarët që të zgjedhin produkte bujqësore vendore, jo vetëm për të ndihmuar ekonominë vendase, por edhe për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e vetë-mjaftueshmërisë bujqësore. Çdo produkt që prodhohet në Maqedoni do të jetë i etiketuar dhe i dallueshëm nga importet, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të informuar për të vendosur se çfarë blejnë. Besojmë se përmes kësaj mase do të mbështesim fermerët, do të stabilizojmë prodhimin bujqësor dhe do të bëjmë një hap drejt sigurisë ushqimore kombëtare”, thonë nga Ministria e Bujqësisë.

    Por derisa një pakicë e qytetarëve disa e vlerësojnë idenë, të tjerët thonë se çmimi mbetet faktori vendimtar në zgjedhjen e përditshme.

    “Unë nuk jam kundër produkteve vendase, përkundrazi, gjithmonë përpiqem të blej fruta e perime nga tregu. Por kur një domate vendase kushton 70denarë dhe ajo nga jashtë 55, e kupton që jo gjithmonë është çështje patriotizmi, por e xhepit. Do blej atë që përballoj, sidomos kur rroga nuk del as për faturat”, theksoi Ilir Usejni.

    Ndryshe, për momentin, qytetarët janë përballë një dileme të vjetër: të mbështesin produktet vendase apo të kursejnë nga dita në ditë, pasi shporta minimale e konsumit ka arritur nivelin rekord prej mbi 60 mijë denarë në muaj. Fushata e Qeverisë për promovimin e produkteve bujqësore vendase synon të krijojë një vetëdije të re tek konsumatorët dhe të mbështesë fermerët vendas, por në kushtet aktuale ekonomike, efekti i saj do të varet shumë nga çmimet dhe cilësia e produkteve. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Frizeret në RMV me pagë sa mjeket!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë