Mexhiti: po negociojmë me katër deputetë të Frontit Europian për të kaluar në anën e VLEN-it

    Izet Mexhiti, kryetar i LD-së / Fotografi në Shkup, gjatë fushatës presidenciale të rrethit të parë / Fotografia: Emir Hamzi

    “VMRO-DPMNE dhe “VLEN” janë duke negociuar me katër deputetë të koalicionit të BDI-së për të kaluar në anën e tyre”, tha për Alfa kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti. Ai tha se kalimi i deputetëve mund të ndodh para formimit të Qeverisë së re, ndërsa më pas sipas tij, ka mundësi që në qeverinë e re t’i bashkohen edhe deputetë të tjerë nga Fronti Evropian.

    “Ka informacione se katër deputetë të tjerë nga Fronti Evropian tashmë janë duke negociuar, disa me ne, disa me koalicionin tjetër, kështu që mund të bien në 13, para formimit të Qeverisë. Pas formimit të Qeverisë, numri në Frontin Evropian mund të përgjysmohet sërish, sepse nuk janë të lidhur ideologjikisht, nuk kanë asgjë të përbashkët”, tha Mexhiti.

    Marrëveshja për formimin e Qeverisë mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “VLEN” po afrohet. Mexhiti thotë se për vlerat themelore mbi të cilat do të punojë Qeveria e re aktualisht janë duke u dakorduar dhe për ndarjen e portofoleve do të diskutohet më vonë.

    “Edhe koalicioni “VLEN” edhe koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, në parim ndajnë të njëjtat vlera, të njëjtat parime për Qeverinë e re, luftën kundër korrupsionit, kthimin e shtetit të së drejtës. Fokusi do të jetë zhvillimi ekonomik dhe jeta e qytetarëve”, tha Mexhiti.

    Koalicioni “VLEN” në lidhje me ndryshimet kushtetuese nuk do të insistojë që të ndodhin me çdo çmim. Izet Mexhiti thotë se do të kujdeset për ndjenjat e maqedonasve dhe do të kërkohen garanci nga Bashkimi Evropian për integrim të sigurt të Maqedonisë.

    “Ndryshimet varen fillimisht nga komuniteti më i madh, dmth nga maqedonasit në këtë vend. Në asnjë rast nuk duam që ata të ndihen të kërcënuar, të lënë më vete. Përkundrazi, ne duam të gjejmë një rrugë të përbashkët drejt integrimit, që është aspirata e vetme për të gjithë qytetarët e vendit”, tha Mexhiti.

    Lajmi Paraprak

    Mitsotakis: çdo devijim prej Marrëveshjes së Prespës, do të ketë pasoja në rrugën e RMV-së drejt BE-së

    Lajmi i rradhës

    Kamera sigurie në Shkup, do të regjistrojnë çdo shkelje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë