Kryeministri Hristijan Mickoski mbrëmë përsëriti qëndrimin e tij se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese derisa Bullgaria t’i përmbushë obligimet e saj për respektimin e të drejtave të pakicave. Çështja e ndryshimeve kushtetuese, si kusht për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka marrë sërish hov këto ditë, ndërsa ndaj deklaratave të kryeministrit Mickoski ka reaguar edhe MPJ bullgare, përcjell Nistori.
Për këtë temë Mickoski foli edhe në daljen e mbrëmshme në “Samo Intervju” në TV Kanal 5, ku i pyetur për partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se çfarë nëse Uashingtoni kërkon të votohen për amendamentet kushtetuese, tha se nuk do të ndodhë.
“Nuk do t’i votoj ata, kjo nuk do të ndodhë. Unë nuk do t’i votoj derisa edhe Bullgaria të përmbushë detyrimet që ka marrë, respektimin e të drejtave të të gjitha pakicave. Dhe ato të drejta janë të përfshira në vendimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg”, tha kryeministri.
Sa i përket asaj se a mund të presim ndonjë ndryshim me qeverinë e re politike në Bullgari lidhur me kontestin, Mickoski iu referua takimit të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mutsunski dhe kolegut të tij bullgar Georg Georgiev në Mynih, duke thënë se nuk i ka lëvizur gjërat dhe se “nuk kemi hasur në mirëkuptim por në bllokadë”.
Si shembull, ai përmendi vendimin e qeverisë bullgare të kryeministrit Rosen Zheljazkov për shtyrjen e modernizimit të seksioneve Sofje-Pernik dhe Pernik-Radomir, të cilat janë pjesë e Korridorit 8, për të cilin aktualisht janë duke u negociuar ndërmjet Shkupit dhe Sofjes për ndërtimin dhe modernizimin e hekurudhës nga ky korridor nga pala maqedonase dhe bullgare.
“Çfarë partnere e NATO-s është fqinji ynë lindor, vendimi i sotëm për të mos investuar në Korridorin 8, i cili është i dyti më i rëndësishëm për Aleancën dhe që ata e nënshkruan në samitin në Uashington korrikun e kaluar, flet shumë. Qeveria e tyre ka marrë vendim që të mos investohet në modernizimin e Korridorit 8. Nëse sot e marrin një vendim të tillë për Korridorin 8, që është dashur të jetë formalitet dhe për të cilin na kanë fajësuar, atëherë imagjinoni se çfarë na pret më pas”, tha Mickoski.
Anëtarësimi i Maqedonisë në BE, sipas tij, nuk varet nga ndonjë rezolutë, por nga marrëdhëniet bilaterale, të cilat fatkeqësisht, tha ai, i ka lejuar Bashkimi Evropian.