Mijëra euro dëmshpërblime nga kafshimi i qenve endacakë

    Me mijëra euro për çdo vit derdhen nga arkat e komunave në emër të dëmshpërblimit për qytetarët e sulmuar nga qentë endacak. Gjithashtu ky problem po shqetëson qytetarët me vite dhe nuk po gjen zgjidhje, ankesat e qytetarëve janë të vazhdueshme, ndërsa as nuk po shënohet ulje e numrit të qenve endacak nëpër komunat e ndryshme në vend. Nga sivjet, nëse qytetarët e Komunës së Tetovës kafshohen nga qen endacak do të grumbullohen pikë, në bazë të cilëve më vonë do të merret edhe kompensim në të holla. Kështu thuhet në Rregulloren e Komunës së Tetovës, ku konstatohen kriteret e vlerës së kompensimeve për qytetarët që do të kafshohen nga qen endacak.

    Kafshimi nga qentë endacak, nënkupton kafshimin dhe gërvishtjet e shkaktuara në trupin e të dëmtuarve. Varësisht llojit, nëse është kafshim i rëndë, mesatar apo gërvishtje, fitohen 15, 10 dhe 5 pikë. Po aq pikë fitohen varësisht numrit të kafshimeve. Në rregullore parashihen pikë edhe për frikën e shkaktuar. Sipas rregullores të re, qytetarët do të mund të marrin kompensim nga 30.000 deri në 100.000 denarë nëse arrihet marrëveshje. Se sa para do të marrin do të varet nga lloji dhe numri i kafshimeve, shkalla e frikës së pësuar dhe prishja e gjendjes mendore, mosha dhe pasojat, pika që do të për caktohen nga një komision i posaçëm.

    TETOVË MBI 500 QEN ENDACAKË

    Në Tetovë nga fillimi i vitit deri në fund të muajit mars, janë regjistruar mbi 40 denoncime nga qytetarët që kanë kërkuar të evidentohet se janë plagosur nga sulmet e qenve endacak. Pasi Komuna e Tetovës ka formuluar rregullore për të shlyer dëmet me qytetarët nëse lëndohen nga kafshimi i qenit endacak, po vijnë gjithnjë e më shumë kërkesa për dëmshpërblim. Deri më tani janë paraqitur 32 kërkesa për kompensim të dëmit të shkaktuar nga kafshimi i qenve endacak. Gjashtë kërkesa janë shqyrtuar plotësisht, tre prej të cilave janë të bazuara, pra janë miratuar. Për tre të tjerat, Komisioni kërkon që të shtohen për rishqyrtim, thonë nga Komuna e Tetovës.

    Në ndërkohë, kjo rregullore është kontestuar para Gjykatës Kushtetuese nga një avokat nga Tetova. Ai konteston se ka kritere të pabarabarta për caktimin e masës së kompensimit për dëmin e shkaktuar nga një qen i pastrehë. Sipas vlerësimeve të veterinerëve, në rrugët e Tetovës ka mbi 500 qen të pastrehë. Në korrik të vitit të kaluar, Komuna nënshkroi kontratën vjetore me “Amos Shelter” për kapjen e 82 qenve. Ndërsa Gjykata Kushtetuese informoi se gjatë muajit shkurt, në mesin e gjithsej 21 lëndëve të reja të ngritura, është edhe propozimi i avokatit tetovar.

    Të gjitha këto lëndë u janë dorëzuar ekipeve të gjykatësve dhe këshilltarëve dhe janë në fazën fillestare të punës, pra në procedurë paraprake. Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ende pretendimet në nismat dhe kërkesat dhe do të nxjerrë raporte individuale që do të përmbajnë propozime për votim në seancë, njoftoi Gjykata Kushtetuese.

    AS VARDARISHTE NUK ZGJIDHI PROBLEMIN

    Në Shkup vlerësohet se ka mbi 4000 qen të pastrehë. Kur në shtator të vitit 2007 u hap stacioni “Vardarishte” dhe u prezantua programi “Kap, sterilizoj, vaksino, kthehu”, paralajmërimet ishin se brenda një dekade do të zgjidhet problemi i qenve të pastrehë në kryeqytet. Por pas 16 vitesh qentë janë ende në rrugë, një pjesë e madhe e tyre mbeten të pasterilizuar, nuk mungojnë as proceset gjyqësore të qytetarëve për të cilat paguhen dëmshpërblim me miliona denarë. Në ndërkohë në vend të “Vardarishtes”, qyteti themeloi kompaninë publike “Lajka”, e cila do të zbatojë të njëjtin program, në të njëjtin stacionar , por do të angazhohet për një trajtim më human të kafshëve, diçka për të cilën “Vardarishte” kishte mjaft kritika.

    Vetëm kundër Qytetit të Shkupit në vitin 2020 janë ngritur 480 padi për çka janë paguar 250 mijë euro, ndërsa në vitin 2021 janë ngritur 589 padi për çka janë paguar mbi 400 mijë euro.

    Për të zgjidhur problemin me rritjen e padive, por edhe për të parandaluar keqpërdorimet e mundshme me dëmshpërblim, këshilltarët e Qytetit të Shkupit njëzëri në pranverë të vitit të kaluar, morën vendim me të cilin ankesat për kafshimin e qenit do të zgjidhen në mënyrë miqësore, në vend që të zvarriten nëpër gjykata. Qytetarët nga ana tjetër duan të zgjidhin problemet e kamotshme me qentë e pastrehë në rrugë, të cilët shpesh me apo pa arsye dinë të sulmojnë fëmijët dhe të moshuarit. Vetëm në kryeqytet regjistrohen çdo vit mbi 600 raste të kafshimit nga qentë e rrugës.

    Komuna e Kumanovës në vitin e kaluar ka paguar 21 mijë euro për qytetarët e kafshuar nga qentë, ndërsa sivjet janë parashtruar mbi 23 paraqitje. 14 persona kanë fituar dëmshpërblim për lëndimet fizike dhe traumat e pësuara psikike, si dhe janë raportuar 39 kafshime të qenve të rrugës në territorin e Komunës së Kumanovës, por jo të gjitha procedurat kanë përfunduar në gjykatë. Kompensimet variojnë prej 50 mijë deri 80 mijë denarë. “Lartësia varet nga lloji i dëmtimit, mosha e të sulmuarit, nëse është fëmijë apo i rritur, nëse sulmohet nga një ose më shumë qen. Në procedurë gjyqësore bëhet ekspertiza psikiatrike dhe përcaktohet lloji i dhimbjes fizike dhe mendore, frika e pësuar, aktiviteti i reduktuar jetësor. Në bazë të kësaj përcaktohet edhe lartësia e kompensimit”, thotë Ivan Angelovski, shef i sektorit juridik në Komunën e Kumanovës.

    Në vitin 2021, për të njëjtin qëllim, Komuna e Kumanovës ka shpenzuar 845.204 denarë ose rreth 14.000 euro, që është për 7.000 euro më pak se vitin paraprak.

    Komuna e Velesit në vitin e kaluar ka paguar mbi 44 mijë euro për qytetarët që janë kafshuar nga qentë endacakë. Në Manastir në vitin 2022 për këtë qëllim janë paguar afër 48 mijë euro, përderisa komuna kërkon ndihmë nga qeveria për të menaxhuar problemin me qentë enda cakë. Nisma e filluar nga kryetari i Manastirit, Toni Konjanovski, që njëzëri u pranua nga Këshilli Komunal, kërkon ndihmë financiare nga pushteti qendror për përmirësimin e strehimores për kafshët e pastrehë, si dhe ndryshimin e legjislacionit për zgjidhjen e përbashkët të problemit, për shkak se komunat janë lënë vetëm për të zgjidhur këtë problem. Njëherësh sipas tyre, me ligjin aktual është mjaft vështirë të përballohet me këtë problem për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe mjeteve financiare. Në iniciativë thuhet se problemi me shtëpitë e të pastrehëve në territorin e komunës është alarmant dhe se në Manastir ka fluks të vazhdueshëm të qenve nga zonat e afërta periferike dhe rurale.

    ZGJIDHJA NGA HOLANDA

    Në vitet e fundit në më shumë qytete në Maqedoni, janë shënuar edhe helmime dhe vrasje të qenve endacak, që si metodë është kundërshtuar nga shoqatat për mbrojtjen e kafshëve. Në të gjithë shtetet e rajonit ekzistojnë probleme me projektet e vazhdueshme që trajtojnë këtë problematikë si dhe me ndarjen e fondeve adekuate. Praktikat evropiane sugjerojnë zbatimin e projekteve të kastrimit dhe sterilizimit në baza vjetore duke kontraktuar veterinerë profesional, dhe duke ofruar një zgjidhje të përhershme për strehim dhe trajtim adekuat të qenve endacak. Një nga shtetet që llogaritet të jetë model suksesi për zgjidhjen e problemit me qen endacak është Holanda.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në botë ekzistojnë rreth 200 milionë qen endacak. Edukimi nëpër shkolla për përgjegjësinë e mbajtjes së kafshëve shtëpiake dhe rregullat e rrepta për mbajtjen e qenve shtëpiakë dhe mosbraktisjen e tyre janë vetëm disa nga metodat e përdorura në Holandë për eliminimin e problemit me qen endacak. Bile Holanda ka rritur edhe taksat për blerjen e qenve, për të inkurajuar adoptimin e qenve të rrugës nga strehimoret. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë tregojnë simbolet në etiketën e veshjeve?

    Lajmi i rradhës

    Çfarë duhet të bëni kur fëmija juaj bie nga shtrati?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë