
Pavarësisht premtimeve të dhëna nga ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, për punësim të përhershëm të infermierëve në spitalin klinik të Tetovës, Fondi i Sigurimit Shëndetësor (FSSh) ka refuzuar të japë pëlqimin për punësimin e 155 punonjësve shëndetësorë në Spitalin Klinik të Tetovës, shkruan Nistori.
Sipas BDI-së opozitare, përgjegjësinë kryesore për këtë padrejtësi nuk e ka vetëm pushteti aktual, por edhe ata që për vite me radhë kanë menaxhuar sektorin e shëndetësisë në emër të interesave kombëtare, ndërsa në realitet kanë heshtur përballë diskriminimeve sistematike.
BDI shton se nuk mund të fshihen më pas fjalëve për barazi, ndërkohë që në terren ndodhin përjashtime të tilla masive ndaj punonjëseve shqiptare. Atyre u është premtuar zgjidhje, por janë mashtruar, ndërsa ministri i Shëndetësisë, në vend se të qëndrojë në krah të tyre, është bërë pjesë e heshtjes institucionale.
Opozita shqiptare kërkon që vendimi të anulohet menjëherë, ndërsa paralajmëron se nëse padrejtësia nuk korrigjohet, do të ndërmarrë hapa institucionalë dhe qytetarë për të mbrojtur të drejtat e këtyre punonjëseve, duke e cilësuar rastin si test për demokracinë dhe përkushtimin real të shtetit ndaj barazisë dhe drejtësisë sociale.
Sipas Aleancës për Shqiptarët ministri Azir Aliu mashtroi 155 punonjës shëndetësorë në Tetovë.
“Më 17 qershor 2025, Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në një vizitë publike në Spitalin Klinik të Tetovës, u premtoi 155 infermiereve dhe punonjësve shëndetësorë se problemi me vendimet e punës do të zgjidhet “shumë shpejt”. Ai deklaroi se ata janë pjesë vitale e sistemit shëndetësor dhe se zgjidhja “duhet të ndodhë para afateve ligjore”. Por sot, më 20 korrik, ajo që mbetet nga ato deklarata janë vetëm fjalë boshe. Ministria e Shëndetësisë, e udhëhequr nga Azir Aliu, ka dështuar rëndë. Fondi për Sigurim Shëndetësor, me dokument zyrtar të datës 14.07.2025, të nënshkruar nga dy drejtorë të saj, ka dhënë “mendim negativ” për kërkesën për punësimin e 155 punonjësve në Spitalin e Tetovës”, reagoi ASh.
Nga ana tjetër kujtojmë deklaratën e ministrit Azir Aliu më 17 qershor 2025: Besoj që shumë shpejtë do të zgjidhet, do duhet të zgjidhet përpara afateve ligjore që ne do mund të bëjmë zgjidhjen e problemit, ajo është diku rreth një muaj, një muaj e dhjetë ditë.
Infermierët në Spitalin Klinik të Tetovës, të lënë në mëshirë të premtimeve politike dhe vendimeve burokratike, vijojnë të përballen me pasiguri dhe padrejtësi për statusin e tyre të punësimit, pothuajse më shumë se një dekadë. /Nistori/






