Fëmijët e Haraçinës dhe të Likovës nuk mund t’i gëzohen çerdheve sikurse fëmijët e tjerë për shkak të inateve politike të ministrit për Punë dhe Politikë Sociale, Fatmir Limani dhe të kryetarëve të komunave në fjalë, Ridvan Ibrahimi dhe Erkan Arifi. Ministri i Punës, Limani kërkon nga krerët e komunave të lartpërmendura që ti kërkojnë falje për deklaratat e tyre se ai është ministër jo-legjitim, përcjell Nistori.
“E para njëherë, të dy kryetarët e komunave, por më tepër kryetari i komunës së Haraçinës do të duhet të kërkojë falje publike për pjesën e deklarimit se unë jam ministër jo legjitim dhe në momentin që ai të përcaktohet nëse unë jam legjitim ose s’jam. Atëherë kur ai të bindet se unë jam legjitim, në të njëjtë kohë edhe nënshkrimi im do të jetë legjitim”, deklaroi Limani.
Në pyetjen e gazetarëve nëse për inate politike, duhet të pësojnë banorët, Limani tha se çështja e nënshkrimit është në proces.
“Edhe ai (kryetari i Haraçinës) duhet të jetë i vetëdijshëm se ata fëmijët…është figurë publike, paraqet interesin e përgjithshëm dhe kolektiv. Ne jemi në procedurë për t’i nënshkruar vendimet, por njëkohësisht edhe ata duhet të reflektojnë”, shtoi më tej Limani.
Ministri më tej tha se nuk do të penalizohen fëmijët për këtë gjë, por është procedurë ndërmjet ministrisë së financave dhe ministrisë që udhëheqë Limani. /Nistori/