MMPT: Nuk është e logjikshme që gabimet e politikanëve, njerëzit t’i paguajnë me jetë (Video)

    Elmedina Abdulahi, MMPT / Fotografia: Nistori

    Për vendimin e zjarrit në spitalin moduluar, sot kanë reaguar nga Më Mirë Për Tetovën (MMPT) dhe partia Alternativa. Sipas tyre, ky vendim i Gjykatës Themelore Tetovë i vrau për së dyti herë viktimat e 8-të shtatorit 2021, raporton Nistori.

    “Vendimi i sotshëm i gjykatës është tejet dëshpëruese. 14-të viktimat e spitalit modular sot i vramë për së dyti, me mosfunksionimin e ligjit, me mosmarrjen e përgjegjësisë. Politikat me retorikë europiane të cilat mbrojnë vetëm interesin partiak dhe personal më janë bërë të mërzitshme dhe na demotivojnë çdo ditë, nuk na lënë shpresë për të jetuar në këtë vend. Kultura për mosndëshkim të asnjë problemi ne e paguajmë me viktima, kishim viktimat e spitalit, viktimat e aksidenteve, duhet thënë jo të gjithë këtyre problemeve që na ndodhin për shkak se u dëshmua që korrupsioni vret, politikat me interes të një grupi na vrasin dhe ne si MMPT do të vazhdojmë dhe do jemi kundër çdo keqpërdorimi dhe çdo mosfunksionimi të ligjit në këtë shtet”, deklaroi Elmedina Abdulahi nga MMPT.

    I pyetur se Florin Besimi do të ankohet për vendimin e gjyqit (lexo me kusht) dhe se është i pafajshëm, Abdulahi për Nistorin tha se kjo nuk është e logjikshme dhe nuk mund të thuhet se funksionon ligji apo gjykata, kur ka 14-të viktima dhe nuk ka asnjë të dënuar. Nuk është e logjikshme që gabimet e politikanëve, njerëzit t’i paguajnë me jetë.

    Sipas Alternativës, edhe një herë u dëshmua se në RMV jo vetëm që kemi gjyqësor të politizuar, porse u shpërfaq në mënyrën më brutale dhe të pamëshirshme, kjo për të satën herë, se në Maqedoninë e Veriut institucionet e drejtësisë veç drejtësi nuk ndajnë.

    “Një dëm katastrofal, me 14 pacientë të djegur në zjarr, të ndëshkohet me të a.q. dënime me kusht është një djegie e dytë për viktimat dhe për familjarët e tyre. Pyetja themelore që shtrohet në këtë rast është se a do ta kishim dënimin e njëjtë nëse drejtor i spitalit nuk do të ishte vëllai i ministrit të përhershëm të secilës qeveri, Fatmir Besimi? Ndërsa pyetja tjetër është se cili është roli i Aleancës për Shqiptarët, që udhëheq me resorin e Drejtësisë? Cili është kontributi i saj dhe cila është merita e saj kundrejt vendimeve të këtilla skajshmërisht të politizuara? Vendimi i sotëm e përdëfton konstatimin tonë, të deklaruar shumë herë, se Bashkimi Europian duhet ta shqyrtojë seriozisht këtë alarm, sepse shpresa e vetme që edhe në Maqedoninë e Veriut të ketë drejtësi është që sistemi gjyqësor të ridefinohet plotësisht, në mënyrë që të depolitizohet dhe të vihet në shërbim të gjithë qytetarëve”, thonë nga AAA.

    Ndryshe, sot Gjykata Themelore Tetovë, pas 14-të seancave gjyqësore e dha vendimin përfundimtar në lidhje me tragjedinë në spitalin modular, ku si shkak i zjarrit vdiqën 14 pacientë. Gjykata vendosi ta lirojë nga aktakuza mjekun Boban Vuçevski, ndërsa Florin Besimi dhe Artan Etemi morën dënim me kusht18 muaj burg. Që do të thotë se ata mbeten në liri dhe dënimi nuk do të zbatohet përderisa të dënuarit (lexo me kusht) nuk do të kryejnë ndonjë vepër penale brenda tre viteve. Spitali Klinik i Tetovës u dënua me 1 milion denarë (16.250 mijë euro), i cili detyrohet ta paguajë në afat prej 30 ditësh pas hyrjes në fuqi të vendimit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Zjarri në modularin e Tetovës | 14-të të vdekur, “faji mbeti jetim”, dënime minimale për të akuzuarit

    Lajmi i rradhës

    Manaferra dhe boronica – Cilat janë vlerat e rralla të dy frutave medicinale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë