Mosha e pensionimit, Maqedonia mbetet me të vjetrën

    Pensionist në Tetovë / Fotografia: Lirim Shabani

    Plakja e popullatës dhe rritja e moshës për pension po bëhen gjithnjë e më shumë temë debate të nxehtë në Evropë. Në muajin janar, francezët mbajtën protesta si presion ndaj presidentit Emanuel Makron, që të heqë dorë nga plani për reformën e pensioneve dhe rritjen e moshës së pensionit për dy vjet. Më shumë se 1.2 milion persona protestuan në mbarë Francë kundër planit të Makron për të rritur moshën e pensionimit nga 62 në 64 vjeç. Ky plan është reforma e tij më e madhe gjatë mandatit të dytë presidencial. Pavarësisht protestave, Makron nuk ka shfaqur ndonjë shenjë se do të tërhiqet nga plani i tij, teksa më 30 janar tha se kjo reformë ishte “esenciale”. Franca ka moshën më të ulët të kualifikimit për pension shtetëror në mesin e ekonomive më të mëdha evropiane. Në Gjermani po rritet mosha e pensionit deri në 2030 në moshën 67 vjeçare.

    Në Maqedoninë e Veriut nuk ekzistojnë paralajmërime të tilla, edhe pse rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar shkojnë në një drejtim të tillë. Maqedonia e Veriut duhet të reformojë sistemin e saj të pensioneve në mënyrë që të jetë në gjendje të përballojë presionet fiskale, si dhe të përmirësojë drejtësinë e saj, thotë Banka Botërore në raportin e saj të fokusuar në reformat e pensioneve. “Aplikimi i një pakoje të fortë masash politike mund të stabilizojë aspektin fiskal dhe të përmirësojë drejtësinë e sistemit të pensioneve në vend. Për shembull, rritja e moshës së pensionit do të zgjaste qëndrimin e punëtorëve në punë, do të rriste normat e reja të zëvendësimit dhe do të reduktonte shpenzimet dhe deficitet e pensioneve në dy për qind të PBB-së në vit deri në fillim të viteve 2030”, thuhet në raport.

    LEHTËSIME JO SHTRËNGIME

    Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ashpër kundërshtojnë diçka të tillë, duke shtuar se duhet të mendohet për vendosjen e më shumë modeleve të volitshme për pensionim, në vend të mendohet eventualisht për rritjen e moshës së pensionit në vend. Nga LSM theksojnë se propozimet e tyre konkrete janë dorëzuar që nga viti 2020, si : vendosja e pensionit në bazë të vjetërsisë pa dallim moshe dhe përvojës së punës, mundësia e blerjes së stazhit gjatë pensionit të parakohshëm dhe vendosja e stazhit të beneficuar për kategori të caktuara qytetarësh, mirëpo shtojnë se për to ka munguar dhe mungon dialogu social. Kërkesat e LSM janë pensioni i pleqërisë, pra 35 vjet shërbim për gratë, 40 vjet shërbim për burrat, pavarësisht moshës. Pensioni të merret sipas moshës ose stazhit në varësi të aktivitetit. Nëse përcaktohen kushte të ndryshme për pension, kushtet do të jenë zgjedhje të punëtorëve dhe jo të detyrueshme, gjegjësisht punëtori do të vendosë se në çfarë kushtesh dëshiron të dalë në pension. Sindikalistët thonë se punëtorët në shtet janë të punësuar në veprimtari të ndryshme dhe kryejnë punë të ndryshme në rëndësi dhe sipas kushteve ku kryhen. Prandaj është e nevojshme të parashikohen me ligj disa kushte për daljen në pension të punëtorit të ndërtimit, tekstilit, minatorit nga ai punëtor, për shembull që është i punësuar në administratë.

    Nëse përcaktohen kushte të ndryshme pensioni, ato do të jenë të drejtë të zgjedhjes së punëtorëve dhe jo të detyrueshme, do të varet nga vullneti i punëtorit se në cilat kushte ai dëshiron të dalë në pension. Njëherësh propozohet vendosja e të drejtës së punëtorëve për pension të parakohshëm pleqërie, e cila do të realizohej pas moshës 60 vjeç, me minimumin 15 vite shërbim apo të stazhit të punës. Përfitues të pensionit të parakohshëm të pleqërisë mund të jenë punëtorë që punojnë por nuk mund të vazhdojnë punën për arsye të caktuara (shëndet, punë dhe nuk mund të shpallen invalid, për shkak të falimentimit ose likuidimit) ose janë të papunë dhe plotësojnë kushtin si minimumi 15 vjet përvojë pune. Ky lloj pensioni do të realizohej ekskluzivisht me dëshirën dhe kërkesën e punonjësit. Kjo kërkesë për pension pothuajse në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian njihet si kërkesa e përgjithshme për pension dhe realizohet në moshën 60 vjeçare. Kërkohet edhe tu mundësohet punëtorëve të paguajnë vetë kontributin për sigurimin pensional dhe invalidor nëse nuk e kanë plotësuar kushtin e të paktën 15 vjet përvojë pune. Të drejtën e vetë pagesës së kontributit, të kenë punëtorët që u mungojnë deri në 3 vjet përvojë pune nga minimumi 15 vjeç dhe i plotësojnë kushtet e moshës (62, apo 64 vjeç). Megjithatë një pjesë e ekspertëve e kritikojnë rritjen e moshës duke vlerësuar se detyrimi i njerëzve për të punuar me orë më të gjata është mizor dhe i padrejtë ndaj atyre që janë të përfshirë në punën fizike.

    EVROPA DHE KUFIRI I PENSIONIT

    Sipas të dhënave të vitit 2020, kufiri mesatar i moshës në Bashkimin Evropian është 64.3 vjeç për burrat dhe 63.5 vjeç për gratë. Në Evropë, kufiri i sipërm i moshës për burrat dhe gratë është 67 vjeç dhe praktikohet në Norvegji dhe Islandë. Në Holandë kufiri i moshës për të dyja gjinitë është 66.3 vjeç, në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë është 66 vjeç dhe në Gjermani është 65.7 vjeç. Në vendet e rajonit, Kroacia ka kufirin më të lartë të moshës për meshkujt – 65 vjeç, ndërsa për femrat është 62.5 vjeç. Turqia ka moshën më të ulët të daljes në pension, ku burrat dalin në pension në 60 vjeç dhe gratë në 58 vjet . Pasojnë Greqia, Italia, Luksemburgu dhe Sllovenia me 62 vjet për të dyja gjinitë. Shumica e këtyre vendeve ofrojnë gjithashtu mundësinë e pensionit të parakohshëm. Sipas vlerësimeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), mosha normale e pensionit do të rritet në të ardhmen. Deri në vitin 2060, Danimarka vlerësohet të ketë një moshë maksimale të daljes në pension prej 74 vjeç. Italia dhe Estonia do të pasojnë me 71 vjet për të dyja gjinitë. Luksemburgu dhe Sllovenia vlerësohet të kenë moshën më të ulët të daljes në pension prej 62 vjeç për të dyja gjinitë deri në vitin 2060.

    Sipas ekspertes për pensionet, Monika Queisser nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim, OECD sistemet e pensioneve janë shumë të ndryshme. Por një gjë ato e kanë të përbashkët. “Së pari ka rënë përqindja e lindjeve dhe e dyta është rritur jetëgjatësia. E tani duhet parë, se si duhet të veprojmë me këtë barrë shtesë, si mund ta shpërndajmë mes shumë supeve të fortë që të mos rëndohen vetëm të rinjtë. Por kjo duhet të jetë e financueshme. “Krahasimi evropian i pensioneve ka të metat e veta. Shumë krahasime nuk janë të sakta, por për një këndvështrim të përgjithshëm ai mund të bëhet. Tre kritere kanë rëndësi: shpenzimet publike për to, sa i shtrenjtë është një sistem i tillë? Sa pension merr, dhe kur del në pension?”, tha ajo. Ndryshe, holandezët punojnë më gjatë. Pensioni shtetëror tek ta fillon me 66 vjeç. Megjithatë shumica ndal më herët së punuari, aty tek mosha 63. Edhe shumë gjermanët aktualisht ndalin së punuari rreth moshës 63 vjeç. Aktualisht kufiri shtetëror është me 64 vjeç, dhe po rritet vit pas viti. Italianët mesatarisht dalin në pension rreth moshës 63 vjeç, grekët me 60, francezët me rreth 61 vjeç. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Përleshje fizike në një kazino në Shkup, e pëson edhe sigurimi

    Lajmi i rradhës

    Hulumtimi: 42 % e qytetarëve të RMV do të largoheshin nga vendi nëse do t’iu jepeshte mundësia

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë