Ministria e Shëndetësisë të martën lëshoi një komunikatë për opinionin, në të cilën bën thirrje që të lënduarit nga zjarri në Koçan t’i drejtohen vetëm mjekëve profesionistë dhe të specializuar në sistemin shëndetësor, të cilët janë ekspertë në trajtimin e lëndimeve të tilla dhe se fizioterapia e papërshtatshme mund të sjellë pasoja të padëshiruara shëndetësore, përcjell Nistori.
“Ministria e Shëndetësisë thekson përkushtimin e saj të plotë për ofrimin e kujdesit sa më të mirë shëndetësor për të lënduarit. Sa i përket trajtimit të të lënduarve, theksojmë se sistemi shëndetësor ka ambiente të përshtatshme dhe staf mjekësor profesional, të gatshëm për t’iu përgjigjur nevojave të kujdesit emergjent mjekësor, rehabilitimit dhe fizioterapisë afatgjate. Rehabilitimi mjekësor, veçanërisht për pacientët me djegie të rënda dhe lëndime të rënda, është një aktivitet shëndetësor i rregulluar rreptësisht që mund të kryhet vetëm nga institucionet shëndetësore dhe personeli mjekësor i specializuar. Fizioterapia joadekuate pa vlerësim mjekësor mund të çojë në pasoja të padëshiruara për shëndetin e pacientëve dhe veprime të tilla janë të dënueshme sipas Ligjit për Kujdesin Shëndetësor. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve dhe profesionistëve mjekësorë që të vazhdojnë punën e koordinuar dhe profesionale, për të siguruar kujdes të sigurt dhe cilësor për të lënduarit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndryshe, Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona. /Nistori/