Ministri për çështje evropiane, Orhan Murtezani pret që Parlamenti Evropian, edhe në seancë plenare të mos e ndryshojë përkufizimin për gjuhën dhe identitetin maqedonas, gjegjësisht të mos e shtojë fjalën “modern”.
Gjatë debatit në Komisionin për Punë të Jashtme të PE-së, dy ditë më parë, gjuha dhe identiteti maqedonas nuk morën përshkrimin shtesë “modern”, pavarësisht amendamentit që u prezantua nga një pjesë e deputetëve.
“Mendoj se nuk duhet të paragjykojmë nga tani, ta shohim si do të zhvillohet procesi deri në fund. Ne shpresojmë se ajo që kaloi në hapin e parë, duhet të përfundojë edhe në të dytin. Megjithatë kjo është çështje e konsensusit të brendshëm politik në Parlamentin Evropian, gjithsesi ne do të donim që identiteti të mbetet ashtu siç e vlerësojmë dhe e ndjejmë ne, megjithatë të presim vendim final”, tha Orhan Murtezani, Ministër për çështje evropiane. /Alsat/