Narrativë e lodhur që pasivizon votuesin!

    Pavarësisht nëse zgjedhjet parlamentare do të jenë të rregullta apo të parakohshme, narrativi i partive për ndërtimin e rejtingut tashmë dihet. Nga një narrativ i tillë del përshtypja se dialogu politik nuk ka lëvizur dhe se ne nuk kemi lëvizur as një milimetër. Riciklimi i temave etnike të 20 apo 30 viteve më parë, kërcënime me kërkesa të reja apo apele për një fitore “të pastër” që do të rezultojë në një qeveri të pashantazhuar, luftime të rregullta me termat “tradhtarë” dhe “patriotë” që transformohen sipas nevojës në politikanë pro-evropianë dhe anti-evropianë, janë narrativa që opinioni i ka mësuar përmendësh.

    Analistët dhe politologët nuk besojnë se edhe para zgjedhjeve të ardhshme është e mundur ndonjë ndryshim të diskursit publik, sepse nuk ka as politikanë të ri dhe as ide të reja.

    Politologu Marjan Vuçkoviq, thotë se fatkeqësisht, etnofobia dhe nxitja e nacionalizmit janë një “recetë e provuar” në shoqërinë tonë, veçanërisht si mekanizëm për krijimin e krizave që duhet të provokojnë zgjedhje.

    “Mirëpo, situata e keqe politike nuk ka të njëjtin intensitet si më parë, para së gjithash për shkak të emigrimit masiv të plotësuar me apatinë politike tek njerëzit, të cilët nuk janë aspak të interesuar për problemet politike. Qytetarët janë të preokupuar me problemet në shëndetësi, arsim, kulturë, sport, infrastrukturë rrugore, problemet komunale e mbi të gjitha kriza ekonomike dhe çmimet e larta të produkteve dhe shërbimeve të përditshme. Është për të ardhur keq që politikanët tanë nuk dolën nga matrica se ‘kush është më i keq’, dhe nuk kuptojnë se populli dëshiron të votojë me parimin se ‘kush është më i mirë’. Besoj se këto tensione etnike do të vazhdojnë deri në pranverë dhe do të radikalizohen pak, sepse ka kaq shumë probleme në vend, saqë nuk është realiste që dikush të ofrojë zgjidhje për të gjitha, dhe populli pret pikërisht këtë, dhe pikërisht për këtë po largohen”, ka deklaruar për KOHA, Marjan Vuçkoviq, politolog.

    Opozita, por edhe partitë në pushtet nga kampusi politik shqiptar tashmë janë duke drejtuar diskursin në kartën etnike. Prej aty shpallin kërkesa të reja të fshehura që i nxjerrin nga kutia e Pandorës sipas nevojës,  paralajmërime se komunat “shqiptare” do të shkojnë vetë në BE, deri sa në vend, zyrtarë të lartë nga fqinjët, si vizita e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, po shkaktojnë diskutime të ashpra politike në opinion. Ndërkaq, në bllokun maqedonas, po paralajmërohen fitore historike që të mos shantazhohen nga shqiptarët, pamposhtje para të huajve dhe konspiracione të huaja kundër partisë më të madhe opozitare, si dhe fushata për një Maqedoni evropiane, për të cilën qeveria do të shpenzojë 80.000 euro në një situatë ku shumica e qytetarëve, domethënë 80 për qind e tyre, nuk kanë mëdyshje për BE-në, por si do të arrihet deri aty.

    Analisti politik Sefer Selimi beson se partitë, për fat të keq, në vend që të ofrojnë kritika të arsyeshme dhe të qëndrueshme, por edhe zgjidhje për atë që kritikojnë te kundërshtari, më e lehtë e kanë të “kalërojnë” pseudopatriotizmin dhe folklorin, gjë që nga ana tjetër, janë gjithnjë e më pak të kalueshme te votuesit.

    “VMRO-DPMNE, me narrativen se është kundër BDI-së, kërkon të marrë më shumë vota përmes akuzave se shqiptarët janë fajtorë për gjithçka që ndodh në vend, duke aluduar në BDI-në. Është e thjeshtë kalkulimi i VMRO-DPMNE-së, kur bëhet fjalë për përkrahjen e ndryshimeve kushtetuese, pra nëse votojnë për ndryshimet kushtetuese, sa vota do shkojnë te E Majta. Nuk mendoj se kjo do të kalojë me votuesit, përveç te një trup i vogël votuesish radikalë. Partitë opozitare të shqiptarëve nga ana tjetër shpresojnë për më shumë vota për ta përmes folklorit. Por në fund të ditës, të gjithë do të jenë humbës. Partitë opozitare të shqiptarëve nuk kanë mësuar se nuk mund ta mposhtin Ali Ahmetin me pseudopatriotizëm. Ajo që u mungon të gjitha palëve është kritika konstruktive ndaj institucioneve të caktuara me sugjerime se si të zgjidhen problemet”, konsideron Selimi.

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia e Veriut drejt limiteve kritike për popullsinë

    Lajmi i rradhës

    Vdekja e supozuar e Prigozhinit, “mesazh” për rebeluesit e mundshëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë