NDRYSHIMET KUSHTETUESE | Për cilin model do të përcaktohet Maqedonia e Veriut?

    Debati për ndryshimet kushtetuese duhet të zhvillohet në një grup pune ekspertësh ku secila parti politike delegon përfaqësuesit e saj dhe ku në bazë të së drejtës kushtetuese dhe asaj që parashikohet me ligj, të përcaktohen amendamentet të cilat më pas kalojnë në dëgjim publik. Takimi i liderëve nuk është një format institucional për të sjellë zgjidhje konkrete, vlerësojnë nga Qeveria.

    Nga opozitarja VMRO-DPMNE ofrojnë “konsensus rreth modelit kroat” dhe janë të gatshëm edhe për takim liderësh. Nga ana tjetër, Sofja, siç tha ministri bullgar i Punëve të Jashtme, Nikolai Milkov, dëshiron të përfshihet dhe të konsultohet në procesin e regjistrimit të bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Ndërsa nga Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup, thonë se procesi i ndryshimeve kushtetuese është çështje e brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila si obligim lidhet me negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve për modelin kroat për ndryshimet kushtetuese, deklaroi se procesi i ndryshimeve kushtetuese është proces i strukturuar në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën dhe propozimin duhet ta bëjë grupi punues në Ministrinë e Drejtësisë që do t’i përgjigjet shoqërisë sonë, për ligjet dhe pritshmëritë tona për të ardhmen tonë si shtet i ardhshëm anëtar i BE-së.

    “Nuk thashë çfarë është e pranueshme, çfarë nuk është e pranueshme, thashë se së pari është duke punuar një grup pune në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në të cilin janë anëtarë ekspertë dhe në të cilin tashmë janë ftuar përfaqësues të partive politike të përfaqësuara në Parlament dhe të cilat do të nevojiten bazuar në përvojat më të mira për të zhvilluar një propozim që duhet të shtrohet për debat. I thashë se ka parti politike që flasin për një model, pastaj ka parti politike që flasin për një model tjetër amendamentesh, të tjera flasin për të tjerët. Ju folët për modelin kroat, një parti tjetër politike doli dhe foli për një model zviceran, një e treta doli që të flasë një model belg dhe prandaj duhet të ulemi në nivel ekspertësh dhe të bëjmë një propozim që i përshtatet shoqërisë maqedonase dhe atë që i përshtatet ligjeve tona dhe asaj që ne presim nga e ardhmja jonë si një shtet i ardhshëm anëtar i BE-së. As nuk kam thënë se jam për diçka, as nëse jam kundër”, tha Kovaçevski.

    Ai ka refuzuar propozimin e VMRO-DPMNE-së për mbledhje liderësh, sepse tashmë dihen qëndrimet e partive politike. Njëkohësisht, ai përkujtoi se një takim i tillë është mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar, ku është biseduar për harmonizimin në lidhje me nevojën e ndryshimeve kushtetuese për vazhdimin e integrimeve evropiane në përputhje me kornizën negociuese të miratuar nga Parlamenti me shumicë votash. Në atë mbledhje liderësh, tha ai, “të gjithë liderët e partive ranë dakord për nevojën e bartjes së ndryshimeve kushtetuese, përveç njërit që heshti dhe dyve që nuk erdhën”.

    Duke iu referuar të ashtuquajturit “modeli kroat” për ndryshimin e Kushtetutës, Kovaçevski theksoi se ekziston një model maqedonas që do të sigurojë të ardhmen evropiane të vendit. “Mendoj se edhe ne kemi model maqedonas sepse gjithmonë kemi luftuar për shtetin maqedonas, për një gjuhë maqedonase për të cilën kemi luftuar në kornizën e negociatave dhe në marrëveshjen FRONTEX, për një identitet maqedonas për të cilin kemi luftuar në kornizën e negociatave. Besoj se duhet të vazhdojmë me konsensusin maqedonas, me vullnetin politik maqedonas dhe me vizionin maqedonas për Maqedoni evropiane”, tha Kovaçevski dhe kërkoi që tema e ndryshimeve kushtetuese të mos përdoret për politikë ditore.

    Kryeministri kroat Plenkoviç theksoi në konferencën për shtyp se kur Kroacia kryesonte BE-në, u miratua metodologjia e re për negociata dhe u mor vendimi për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. “Tani jemi në fazën e përshpejtimit të atyre proceseve përfundimtare, në mënyrë që rruga të marrë vrullin e vet dhe në kontekstin e dhënies së statusit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë dhe statusit të kushtëzuar Gjeorgjisë dhe statusit të kandidatit për BeH-në, tani Maqedonia e Veriut mund ta përshpejtojë atë proces. Kroacia do ta ndihmojë atë në këtë proces. Një nga mënyrat është delegacioni i Vladimir Drobnjakut, i cili ishte negociatori kryesor për Kroacinë, për të ndihmuar ministrin dhe gjithë qeverinë tuaj, dhe kjo është manifestimi më i mirë i bashkëpunimit dhe lëvizjet e duhura në kohën e duhur. Dhe kjo është arsyeja pse tani është koha për të bërë lëvizjet e duhura, për të marrë vendime strategjike që do të çojnë në hapa strategjikë pas lëvizjeve të shumta që janë tashmë pas jush”, tha Plenkoviç. Ai gjithashtu iu drejtua Parlamentit dhe theksoi se në Kroaci procesi i anëtarësimit në BE është pranuar nga të gjitha pjesët e shoqërisë kroate dhe mbarë publiku si një sipërmarrje e përbashkët dhe për këtë arsye mesazhi i tij kyç iu drejtua deputetëve dhe të gjithë qytetarëve të vendit. “Jam i vetëdijshëm dhe i kuptoj plotësisht disa zhgënjime dhe pakënaqësi, duke pasur parasysh vitet e pritjes në derën e BE-së, por këtë herë dua t’ju inkurajoj që të mos humbni besimin dhe shpresën, por të bëni përpjekje shtesë në zbatimin e reformave dhe kushte të tilla si përgatitja për anëtarësimin e ardhshëm në Union. Sado e vështirë dhe e pasigurt t’ju duket tani, mundësitë politike dhe vendosmëria juaj e qartë për anëtarësim në BE kërkojnë që të ndërmerrni një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin tuaj, për qytetarët dhe brezat e ardhshëm”, tha kryeministri kroat, duke përsëritur mbështetjen e vendosur që Kroacia i ka dhënë Maqedonisë së Veriut në rrugën evropiane.

    Ministria e Punëve të Jashtme informon se procesi i ndryshimeve kushtetuese është çështje e brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila si obligim lidhet me negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Një vendim i tillë pritet që Parlamenti të marrë në mënyrë sovrane dhe në përputhje me interesat afatgjata të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të përfaqësuar në Parlament dhe në këtë kontekst nuk ka mundësi apo vullnet politik për përfshirjen e qytetarëve dhe institucione nga jashtë, përfshirë nga Republika e Bullgarisë. Një kërkesë e tillë as nuk është pranuar e as nuk është diskutuar mes ministrave Osmani dhe Millkov”, thuhet në kumtesën e MPJ-së. Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar për vazhdimin e dialogut politik me Bullgarinë, në frymën e fqinjësisë së mirë dhe Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, për të cilën shpreson në formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re bullgare, shtuan ata.

    Njoftimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme vjen pasi shefi i diplomacisë bullgare Nikolai Millkov tha në një konferencë për media se Bullgaria dëshiron të përfshihet dhe të konsultohet në procesin e regjistrimit të bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

    “Tani, me sa dimë, aty po diskutohen disa variante të teksteve të ardhshme, që do të ishte ndryshim i Kushtetutës. Ne do të donim të ishim pjesë e këtij procesi, në mënyrë që ai të ecë pa probleme. Ne dëshirojmë të konsultohemi për ato çështje, tha Millkov. Ai pret përgjigje nga Shkupi dhe vazhdimin e bisedimeve për uljen e tensioneve.

    “Në këtë kuptim dje pata një bisedë të vogël me ministrin Osmani. Shpresoj se do të përgjigjen. Ne kemi kontakte përpara, në përpjekje për të ulur tensionin, pa dëmtuar të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut. Ky dialog duhet të vazhdojë për sa kohë të ketë vullnet nga ana e tyre. Në këtë kuptim, ne japim një dorë përsëri. Jemi gati të flasim. Jemi të gatshëm të diskutojmë dhe të shqyrtojmë ndryshimet që po bëjnë”, tha Milkov. /koha/

    Lajmi Paraprak

    OBJEKTET E NDËRTUARA PA LEJE | Zgjidhja te konfiskimi!

    Lajmi i rradhës

    “27 PRILLI” NGA E PARA | Rigjykimi që shton mosbesimin ndaj gjyqësorit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë