Në bregdetin shqiptar për punë sezonale, pagat joshin të rinjtë dibranë

    Vitet e fundit, një numër i konsiderueshëm i të rinjve dibranë gjatë sezonit veror angazhohen si punëtorë sezonalë në objektet hotelerike në bregdetin shqiptar. Sipas të gjitha gjasave, e njëjta prirje do të vazhdojë edhe këtë verë. Pagat e leverdishme që ofrojnë pronarët e hoteleve, kafeneve, restoranteve dhe ëmbëltoreve në Durrës, Vlorë dhe qytete të tjera bregdetare janë joshëse për të rinjtë dibranë. Për këtë arsye, pritet që nga fillimi i muajit korrik drejt bregdetit Adriatik dhe Jon të nisen shumë të rinj nga Dibra.

    Në bisedat që zhvilluam me disa të rinj dibranë, mes të cilëve edhe studentë, u informuam se pas kontakteve me pronarë biznesesh në Durrës, Vlorë, Shëngjin, Velipojë dhe vende të tjera turistike, ata kanë arritur marrëveshje për t’u angazhuar gjatë muajve korrik dhe gusht. Jozyrtarisht pritet që edhe këtë verë, ashtu si vitin e kaluar, të rinjtë dibranë të përfitojnë mesatarisht rreth 1.000 euro në muaj, duke siguruar njëkohësisht ushqimin dhe akomodimin pa pagesë.

    Esat F. nga Dibra është student në Universitetin Shtetëror të Tetovës. “Tri vitet e fundit kam qenë i angazhuar si kamerier në një hotel në Durrës. Në vitin 2024 paga ime ishte 700 euro në muaj, ndërsa ushqimi dhe akomodimi siguroheshin pa pagesë. Gjatë verës së vitit 2025 kam marrë 900 euro në muaj, ndërsa këtë verë do të paguhem 1.000 euro në muaj, sërish me ushqim dhe akomodim falas. Për mua si student këto janë paga shumë të mira. Duhet të theksoj se përfitoj edhe nga mundësia për t’u relaksuar pranë detit Adriatik. Këto të ardhura më ndihmojnë shumë për të mbuluar shpenzimet e studimeve në Tetovë”, tha 21-vjeçari dibran.

    Agimi dhe Talati janë dy shokë që studiojnë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Ata janë në vitin e dytë të studimeve në Fakultetin e Biznesit. Për gazetën KOHA thanë se për herë të parë këtë verë do të punojnë si kamarierë në Vlorë. “Nëpërmjet disa miqve tanë kemi vendosur kontakt me pronarin e një hoteli në Vlorë dhe kemi arritur marrëveshje për të punuar gjatë muajve korrik dhe gusht me një pagë prej 1.100 eurosh në muaj. Do ta kalojmë verën në bregdetin shqiptar, do të fitojmë të ardhura dhe më pas do t’u kthehemi studimeve. Nëse sezoni turistik vazhdon me intensitet edhe në shtator, do të punojmë edhe gjysmën e parë të atij muaji”, thanë ata.

    Gjatë verës së kaluar, sipas vlerësimeve jozyrtare, në Shqipëri ishin angazhuar mbi 100 të rinj dibranë. Megjithatë, besohet se këtë verë numri i tyre do të jetë dukshëm më i lartë. “Në krahasim me pagat që mund të sigurohen në Dibër, ku një kamerier paguhet mesatarisht nga 400 deri në 500 euro në muaj, pagesat në bregdetin shqiptar janë të paktën dyfish më të larta”, thotë Besim M., një dibran që prej tre vitesh punon sezonalisht në objektet hotelerike në Durrës. Koha

    Lajmi Paraprak

    Rama ndërtoi një model qeverisës që e sheh ligjin si pengesë

    Lajmi i rradhës

    Rikonstruimi i Qeverisë / Cilit i takon Arsimi, Shëndetësia dhe MPJ – VLEN-it apo VMRO-së?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë