Dibra mëse 3 dekada nuk ka treg të kafshëve shtëpiake. Është një problem i madh për blegtorët meqë ata janë të detyruar që tregtimin e bagëtisë ta bëjnë në tregje të qyteteve të tjera të vendit, por meqë qyteti është në kufi me Shqipërinë disa nga blegtorët apo tregtarë nga dy anët e kufirit të bëjnë tregtim ilegal. Kjo situatë normalisht shkakton edhe rreziqe për paraqitjen e sëmundjeve të kafshëve sepse nuk ka kontroll nga ana e veterinerëve, të kafshëve të tregtuara ilegalisht, thonë veterinerët dibran.
Burimet të njëjta potencojnë se institucionet kompetente lokale por edhe rajonale duhet patjetër të mundësojnë hapjen e një tregu të kafshëve ashtu siç ka qenë deri në vitet e 90-ta, kur në Dibër ka funksionuar një treg i kafshëve ku janë tregtuar kafshë shtëpiake nga Dibra, Zhupa dhe Reka, por edhe nga qytetet e tjera fqinje të Dibrës.
Problemi në fjalë shpesh është temë debati në shoqatën të blegtorëve dibran, por edhe i stacioneve të veterinarisë në Dibër. Në shoqatën “Dashi”, thonë se hapja e tregut do të ndihmojë blegtorët që të mos enden në tregje të tjera për të shitur apo ble bagëti.
Kjo duhet të legalizohet edhe nga qeveritë në Shkup dhe Tirana, thonë burimet e njejta dhe shtojnë se një mundësi e këtillë do të stimulojë zhvillimin e blegtorisë në vendbanimet kufitare të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Poashtu sipas kësaj shoqate do të parandalohej tërësisht tregtia ilegale e kafshëve në ty dy anët e kufirit. Blegtorët nga viset kufitare të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në mënyre legale do të tregtojnë bagëtinë dhe kjo mundëson edhe një kontroll të sigurt shëndetësor të bagëtisë. Në bisedë me disa blegtorë dibran u informuam se për një lopë apo bagëti tjetër, ata shkojnë edhe në tregjet e qyteteve fqinje siç janë Struga, Gostivari etj. Biseduam edhe me veterinerët dibranë në lidhje me këtë problem të mungesës të tregut të kafshëve.
Veterineri Maksut Kërluku, i cili ka edhe stacionin e veterinarisë të tij, për gazetën Koha thotë se problemi i mungesës të tregut është një dobësi e kompetentëve. Në aspektin profesional mund të them se me hapjen e tregut do të parandalohen edhe sëmundjet e mundshme të kafshëve.
“Tregtimi i kafshëve pa kontroll të veterinerëve nuk duhet të lejohet. Sidomos ka raste kurë tregtimi i kafshëve është ilegal. Kur bëhet tregtimi ilegal i kafshëve, paraqiten rreziqe për stimulimin e sëmundjeve të kafshëve. Ne si stacione të veterinarisë kontrollojmë kafshët e regjistruar, dhe jo ata që janë tek fermerët e që kanë ble në terrenin tonë të aktivitetit në mënyra ilegale”, thotë veterineri Kërluku i cili potencon se kanë kaluar disa dekada e tregu i kafshëve nuk është themeluar. Tregu i kafshëve është i mirë për fermerët.
Mes blegtorëve dibranë por edhe ata në komunës rurale Qendër Zhupë dhe Mavrovë – Rostush qarkullojnë informata se dikush ka marrë bagëti nga qytete të tjera por edhe nga viset kufitare të Shqipërisë edhe atë në mënyrë ilegale. Në stacionet e veterinarisë në Dibër thonë se edhe në anën tjetër të kufirit, në Shqipëri në vendbanimet kufitare, veterinerët kanë po të njëjtin problem që ka të bëjë me bagëti që nga ana jonë janë shitur në Shqipëri në mënyra ilegale.
Prandaj me të drejtë në të dy anët e kufirit blegtorët dhe veterinerët thonë se nevojiten tregje të kafshëve të cilët do të mundësojnë me marrëveshje të qeverive të RMV-së dhe Shqipërisë të jenë të lirë për shitblerje të bagëtisë, me kontrollet e nevojshme, meqë vetëm ashtu do të ndërpritet edhe tregtia ilegale e kafshëve shtëpiake.