Në Gostivar rritet numri i lejeve për ndërtim

    Komuna e Gostivarit është ndër komunat e para në vend që ka ndarë leje për ndërtim gjatë vitit 2025. Nga sektori i urbanizmit në këtë Komunë bëjnë të ditur se brenda vitit 2025 janë dhënë 258 leje ndërtimi. Udhëheqësi i Sektorit të Urbanizmit në Komunën e Gostivarit, Semir Zulbehari, ka bërë të ditur se kjo është arritur falë korrektësisë dhe shërbimit në nivel që jep ky sektor në drejtim të qytetarëve, të cilët kërkojnë leje për ndërtim. “118 leje janë dhënë për ndërtim të shtëpive individuale, 24 leje për ndërtim të objekteve kolektive, nëntë për objekte industriale, 70 leje janë dhënë për projekte infrastrukturore, 37 leje janë dhënë për ndërhyrje të ndryshme, duke përfshirë adaptime, rindërtime, mbindërtime si dhe vendosje të paneleve fotovoltaike.

    Gjatë vitit 2025 janë miratuar edhe plane detale urbanistike për blloqet urbane 27, 24 dhe 25, ndërsa janë përfunduar edhe 50 procedura për plane detale urbanistike. Aktualisht, janë në zhvillim edhe 10 për ndryshim të planeve urbanistike me qëllim të përshtatjes së këtyre planeve me nevojat urbane të qytetarëve”, njoftoi udhëheqësi i Sektorit të Urbanizmit në Komunën e Gostivarit, Semir Zulbehari.

    Në ndërkohë, në Komunën e Vrapçishtit,vitin 2025 e llogarisin si të suksesshëm në aspektin e dhënies së lejeve të ndërtimit. Kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar janë parashtruar 146 kërkesa për leje ndërtimi për objekte banimi, prej të cilëve 84 janë miratuar, ndërsa për objekte industriale janë dorëzuar 13 kërkesa dhe vetëm 9 janë pranuar.

    “Në Komunën e Vrapçishtit kemi dy kategori të lejeve, pra kategoria A1 për objekte banimi dhe kategorinë G, që është për zonën industriale. Për vitin 2025 për objekte të kategorisë A1 kemi 146 kërkesa, për 84 është dhënë leje dhe punohet në terren, kurse 62 janë në procedurë për shkak të mungesës së dokumentacionit dhe besoj se kompanitë do t`i përfundojnë dokumentacionet, dhe do të fillojnë me punë. Në zonën industriale kemi 13 kërkesa, nëntë prej tyre janë kryer dhe katër janë në procedurë për t`ju dhënë leje ndërtimi”, deklaroi kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani.

    Edhe nga Komuna e Vrapçishtit edhe nga Komuna e Gostivarit presin që edhe gjatë këtij viti të ketë më shumë interesim për ndërtime, ndërsa premtojnë se procedurat do të kryhen në kohë dhe pa zvarritje, ndërsa apelojnë që palët që kërkojnë leje ndërtimi duhet që kur të parashtrojnë kërkesa për leje ndërtimi, të dorëzojnë dokumentacionin e kompletuar që më shpejt të jepet leja e ndërtimit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Si u shndërrua Gaza në debat të brendshëm në Kosovë…

    Lajmi i rradhës

    Salah po largohet nga Liverpooli?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë