Në tokën e tyre, por jo në shtëpinë e tyre: mërgimtarët në Dibër si qiraxhinj

    Dibra është shndërruar në një qytet sezonal. Gjatë verës, vijnë mërgimtarët që kryesisht jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa gjatë festave të fundvitit mbërrijnë ata që jetojnë në vendet e Bashkimit Evropian. Megjithatë, ardhja e tyre ka krijuar nevojën për gjetjen e banesave me qira për periudha një apo dy mujore, sa kohë qëndrojnë në Dibër.

    Kapacitetet e kufizuara hotelerike kanë detyruar shumë nga mërgimtarët dibranë, të cilët nuk kanë shtëpi apo banesa në vendlindje, të bëjnë rezervime paraprake për banesa me qira. Kjo dukuri, e cila ka filluar para dy vitesh, këtë vit ka marrë përmasa edhe më të gjera. Që disa muaj para sezonit të verës, interesimi për marrjen me qira të banesave ka qenë shumë i madh.

    Dibranët që posedojnë banesa të lira, të cilat nuk i përdorin vetë, kanë filluar t’i japin me qira për një, dy apo tre muaj. Kjo ka rritur interesimin e mërgimtarëve, sidomos atyre nga SHBA-ja, të cilët parapëlqejnë të rezervojnë një banesë që mund ta përdorin gjatë qëndrimit në vendlindje. Sipas tyre, përveç mungesës së kapaciteteve hotelerike, edhe çmimi më i lirë i banesave me qira është një arsye e rëndësishme për këtë zgjedhje.

    Në një bisedë që zhvilluam me disa qytetarë të Dibrës që japin banesat me qira, u informuam se gjatë dy muajve të fundit kanë marrë shumë telefonata nga mërgimtarë që jetojnë në Amerikë, të cilët kërkojnë të bëjnë rezervime për verën. Sipas tyre, është rritur ndjeshëm numri i kërkesave dhe, paralelisht me këtë, janë rritur edhe çmimet e qirasë.

    I. Z. nga Dibra, i cili vitin e kaluar kishte dhënë me qira banesën e tij dy dhomëshe në lagjen “Venec 1” për 700 dollarë në muaj, tregon se këtë vit çmimi është rritur në 900 dollarë, për shkak të rritjes së shpenzimeve të mirëmbajtjes. “Unë jetoj në shtëpi dhe banesën e kam trashëgimi. Më parë, mërgimtarët tanë që jetojnë në Amerikë i kalonin pushimet te të afërmit. Vitin e kaluar, në banesën time qëndroi një familje katëranëtarëshe nga Nju Jorku, të cilët ndiheshin më komod se sa te familjarët e tyre”, tha ai. Ai shton se dita-ditës po rritet numri i dibranëve që janë të gatshëm të japin banesat me qira për shkak të kërkesës së lartë.

    Biseduam edhe me M. T., e cila gjithashtu posedon një banesë të trashëguar nga prindërit. Ajo na tregoi se këtë vit për herë të parë ka dhënë banesën e saj, që ndodhet në qendër të qytetit, me qira për një familje dibrane që jeton në SHBA. Sipas saj, është arritur marrëveshja që për një muaj të paguhen 800 dollarë.

    Për të sqaruar më tej këtë dukuri, biseduam me një familje dibrane nga Nju Xhersi, të cilët na informuan se këtë verë do të vijnë në Dibër dhe kanë rezervuar një banesë në qendër të qytetit për dy muaj.

    “Unë dhe bashkëshortja do të qëndrojmë një muaj, ndërsa fëmijët do të qëndrojnë dy muaj”, tha M. A. nga Nju Xhersi. Sipas tij, marrja me qira e një banese është shumë më e lirë dhe më e përshtatshme sesa qëndrimi në hotele, të cilat kanë çmime më të larta dhe kapacitete të kufizuara. Kjo dukuri ka bërë që shumë dibranë të jenë të gatshëm të japin banesat që nuk i përdorin, për të përfituar nga kërkesat e mërgimtarëve. Jozyrtarisht, këtë verë pritet që mbi 70 banesa në Dibër të jepen me qira për nevojat e tyre. Përfitues janë si pronarët e banesave, ashtu edhe mërgimtarët, pasi një natë në hotel në Dibër kushton mesatarisht 70 euro, ndërsa marrja me qira e një banese është dukshëm më ekonomike.

    Lajmi Paraprak

    Jeta studentore në RMV: midis lirisë së ëndrrave dhe realitetit të varfër

    Lajmi i rradhës

    Ekonomia dhe drejtësia: drejtimet e parapëlqyera të nxënësve në RMV-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë