Problemet e shëndetit mendor tek nënat dhe lehonat gjithnjë e më të shpeshta, por për shumicën e kësaj kategorie kjo temë është tabu. Sipas të dhënave zyrtare 7 deri në 15 për qind e nënave dhe lehonave preken nga sëmundjet mendore. Ky numër mendohet të jetë dyfishë më i madh pasi shumica e grave shqetësimet e tyre mendore i kalojnë në heshtje. Diagnostikimi i hershëm i problemeve të tilla të shëndetit mendor mbetet sfidë edhe për specialistët shëndetësorë.
“Një pjesë e madhe e grave nuk kanë informacione apo nuk janë të njohura me gjendjen e tyre psikike gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes. Mendoj se jo vetëm tek ne por në gjithë botën ende ekziston boshllëk i madh në lidhje me zbulimin e hershëm të vështirësive psikike të nënave, nga ana e anëtarëve të familjes, nga ana e punonjësve shëndetësor siç është mjeku amë ose gjinekologu amë”, tha Sllavica Arsova, drejtoreshë e klinikës së Psikiatrisë.
Krahas numrave shqetësues të nënave që janë në gjendje të rëndë psikike Klinika e Gjinekologjisë dhe Akusherisë dhe Klinika e Gjinekologjisë në Çair ka të punësuar vetëm nga një psikolog. Ndërsa klinikat gjinekologjie private, pothuajse nuk kanë asnjë, për të mos thënë fare.
“Ne kemi pasur bashkëpunim të mirë dhe kemi bërë hulumtime me disa klinika gjinekologjike të vendit. Bashkëpunimin më të madh e kemi pasur me Klinikën e Gjinekologjisë dhe Akusherisë në Qendrën Klinike dhe me gjinekologjinë në Çair, ata kanë të punësuar një psikolog, kuptohet që nuk është e nevojshme një psikolog për një numër të madh të grave, pasi psikologët nuk kujdesen vetëm për gratë shtatzëna por edhe për ato që kanë sëmundje të ndryshme”, shtoi Sllavica Arsova, drejtoreshë e klinikës së Psikiatrisë.
Gratë që më shumti rrezikojnë të preken nga sëmundjet mendore janë ata që vuajnë dhunë familjare, ata që kanë trauma nga e kaluara, nënat vet ushqyese, ata që lindin nën moshën 18 vjeçare dhe gratë e moshuara që lindin për herë të parë./Alsat