Nënshkruhet marrëveshja për Tunelin Hekurudhor në Korridorin 8

    “Ministrat e Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, në stacionin hekurudhor këtu në Gjueshevë, në Bullgari, nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar, si pjesë e Korridorit 8. Tuneli do të jetë i gjatë 1,4 kilometra, pra 1,2 kilometra nga ana e Maqedonisë dhe 1,2 kilometra nga ana bullgare”.

    Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje vjen pas mosmarrëveshjeve me vite nga të dyja palët, ndërsa firmosja e dokumentit u vendos këtë verë në Bruksel. Ministri Aleksandar Nikollovski tha se lidhja hekurudhore mes Shkupit dhe Sofjes është realizimi i ëndrrës së gjeneratave ndër vite dhe theksoi se për hekurudhën nga Kumanova deri te kufiri bullgar do të nevojiten të paktën 800 milionë euro.

    “Buxheti minimal për hekurudhën nga Kumanova deri te kufiri është rreth 810 milionë euro, nga të cilat 200 milionë janë fonde nga BE. Nga Kumanova deri në Belakovcë kushtoi 79 milionë euro, nga Belakovcë deri në Kriva Pallankë duhet të kushtojë 155 milionë euro, nëse mbetemi në këtë buxhet. Nga Kriva Pallankë deri te kufiri është rreth 455 milionë euro dhe shtesë kemi 110 milionë euro për sinjalizim dhe elektrifikim nga Kumanova deri te kufiri, me qëllim që kur të përfundojë i gjithë korridori të kemi sinjalizim modern”, tha Aleksandar Nikolovski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

    Kolegu i tij bullgar tha se për këtë hekurudhë është folur më shumë se një shekull dhe sot më në fund vendoset nënshkrimi për realizim.

    “Me nënshkrimin e marrëveshjes shënojmë 138 vjet nga hekurudha e parë ballkanike dhe fillimin e ëndrrës për hekurudhë mes Shkupit dhe Sofjes. Sot, pas kaq vitesh, më shumë se një shekull më vonë, u mblodhëm këtu dhe pikërisht ne me kolegun Nikollovski kemi nderin ta realizojmë projektin e shumëpritur”, u shpreh Grozdan Karaxhov, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve i Bullgarisë.

    Marrëveshja e sotme u nënshkrua në prani të përfaqësuesve të Komisionit Evropian, NATO-s, SHBA-së, Bankës Evropiane për Investime, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Botërore.

    Në ceremoni mori pjesë edhe ambasadorja e SHBA-së, Angela Ageler. Hekurudha Shkup-Sofje, ndërtimi i së cilës ka filluar në vitin 1994, po ndërtohet në tre faza dhe vlerësimet e institucioneve kompetente janë se me të do të rritet transporti i mallrave mbi 30 për qind, ndërsa trafiku i udhëtarëve për 20 deri 25 për qind në vitet e para pas ndërtimit.

    Deri tani, është përfunduar plotësisht ndërtimi dhe rikonstruksioni i pjesës së parë Kumanovë- Belakovcë me gjatësi 30,8 kilometra me vlerë 40,5 milionë euro. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    AUV sekuestroi ushqim të pasigurt me origjinë të panjohur në Çuçer Sandevë

    Lajmi i rradhës

    RMV, rritje alarmante në veprat penale “tentativë vrasjeje”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë