Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, mëngjesin e sotëm zhvilloi takim tematik pune me gazetarët, në të cilin prezantoi Agjendën Reformuese të Maqedonisë së Veriut, e cila dje u miratua edhe zyrtarisht nga Komisioni Evropian. Kjo ngjarje ishte një mundësi për të informuar mediat mbi aspektet kryesore të Agjendës, e cila fokusohet në zbatimin e reformave thelbësore socio-ekonomike dhe fundamentale gjatë periudhës 2024-2027, në përputhje me Planin për Rritje të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, përcjell Nistori.
Ministri Murtezani prezantoi elementet kryesore të Agjendës Reformuese, duke përfshirë bazën ligjore, strukturën e reformave dhe indikatorët për monitorimin e tyre. Theks i veçantë u vu mbi hapat dhe kushtet për pagesë sipas Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, i cili parashikon pagesa bazuar në përmbushjen e mjaftueshme të hapave reformuese. Përmes kësaj Agjende, vendi do të ketë qasje në ndihmën financiare të Bashkimit Evropian, duke mundësuar integrim ekonomik të rëndësishëm dhe harmonizim me standardet evropiane.
“Brifingu i mëngjesit me gazetarët ku prezantova Agjendën Reformuese, e cila u miratua nga Komisioni Evropian vetëm dy ditë më parë, dhe me të cilën, në përputhje me Planin për Rritje të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Maqedonia e Veriut do të marrë mbi 750 milionë euro nga BE-ja gjatë tri viteve të ardhshme. Këto mjete do të kahësohen drejt zbatimit të reformave thelbësore socio-ekonomike dhe fundamentale, duke mundësuar integrim të rëndësishëm ekonomik dhe harmonizim me standardet evropiane”, shkruan Murtezani.
Agjenda Reformuese u miratua edhe zyrtarisht nga Komisioni Evropian me 23 tetor, miratim i cili i hap rrugën shfrytëzimit të Fondit për Reforma dhe Rritje të Bashkimit Evropian, fond ku janë planifikuar 6 miliardë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Kjo agjendë reformuese, e cila përfshin reformat thelbësore për integrimin e vendit në BE, konsiderohet një dokument kyç që do të përcaktojë drejtimin e politikave për të ardhmen. Sipas informacioneve të mëparshme, BE kishte kërkuar përmirësime në disa fusha kyçe, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit, drejtësinë dhe reformat ekonomike, të cilat janë kritere të rëndësishme për avancimin e procesit të integrimit. /Nistori/