Nis tërheqja e trupave të huaja nga Kazakistani

    Mbi 2,00 trupa nga Organizata e Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO), kanë filluar të tërhiqen nga Kazakistani, njoftoi Rusia e cila udhëheqë këtë organizatë.

    Sipas Rusisë, tërheqja po bëhet për shkak të stabilizimit të situatës në Kazakistan, pas shpërthimit të trazirave vdekjeprurëse që u nxitën nga rritja e çmimeve të karburanteve.

    Por, arsyeja prapa trazirave duket se është beteja midis pushtetit aktual dhe besnikëve të ish-presidentit kazak, Nursultan Nazarbaev.

    “Forcat paqeruajtëse kolektive po nisin të përgatisin pajisjet dhe materialet që t’i vendosin në avionët ushtarakë të forcave ajrore ruse dhe të kthehen në pikat e dislokimit të tyre të përhershëm”, tha Ministria e Mbrojtjes së Rusisë përmes një deklarate për media.

    CSTO – aleancë e përbërë nga Rusia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgizia, Armenia dhe Taxhikistani – tha përmes një njoftimi më 12 janar se procesi i tërheqjes së trupave nga Kazakistani pritet të përfundojë brenda dhjetë ditësh.

    Trupat e Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive arritën në Kazakistan javën e kaluar, me kërkesë të presidentit kazak, Qasym-Zhomart Toqaev. Ai më 5 janar shpalli gjendje të jashtëzakonshme në vend dhe kërkoi ndihmën e kësaj organizate për shkak se protestat u shpërndan në qytete në mbarë vendin.

    Numri i personave të vrarë në protestat në Kazakistan vazhdon të jetë i paqartë. Edhe pse zyrtarët kanë thënë se numri i viktimave është 164, Toqaev ka thënë se qindra civilë dhe forca të sigurisë janë vrarë ose plagosur.

    Presidenti kazak ka pretenduar se “terroristët e trajnuar jashtë vendit” ishin pas protestave, të cilat, sipas tij, kishin për qëllim rrëzimin e Qeverisë.

    Por, analistët thonë se protestat janë më shumë një betejë për pushtet ndërmjet presidentit dhe mbështetësve të Nazarbaevit, i cili vazhdon të jetë figurë e fuqishme në vend, edhe pse u tërhoq nga udhëheqja e vendit më 2019.

    Pasi shkarkoi Qeverinë, Toqaev e hoqi Nazarbaevin nga kreu i Këshillit për Siguri Kombëtare, një pozitë e fuqishme në Kazakistan.

    Toqaev po ashtu ka shkarkuar kreun e Komitetit për Siguri Kombëtare, Karim Masimov, që është një aleat i kamotshëm i Nazarbaevit. Masimov është arrestuar nën akuzat për tradhti të lartë.

    Edhe zyrtarë të tjerë të sigurisë janë ndaluar nga autoritetet kazake.

    Toqaev ka tentuar që të sigurojë qytetarët se po punon drejt stabilitetit ekonomik, duke urdhëruar Bankën Qendrore dhe agjencinë për rregullativa financiare që të sigurohen për stabilitetin e tregut të këmbimit valutor, me qëllim që të ngrihet besimi ndaj monedhës kombëtare, tenge./REL/

    Lajmi Paraprak

    Borrell insiston në grumbullimin e votave në Kosovë për referendumin serb

    Lajmi i rradhës

    I merret licenca përkohësisht edhe agjencisë “Boga Trans”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë