Edhe pse gjatë 15 viteve të fundit Ligji për të drejtën e autorit ka ndryshuar disa herë, vlerësimi i përgjithshëm është se ndryshimet në vitet 2013, 2015 dhe 2016 nuk korresponduan me legjislacionin evropian dhe praktikën e shteteve anëtare. Madje në kundërshtim me praktikat evropiane, u futën dispozita që, nga natyra e tyre, janë të pazbatueshme për krijimin e një sistemi funksional dhe efikas të menaxhimit kolektiv të të drejtës së autorit. Kjo është arsyeja që Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka dorëzuar në Parlament një propozim për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit i cili rregullon të drejtat e autorëve mbi veprat e tyre të mbrojtura, të artistëve interpretues, prodhuesve të fonogrameve, videogrameve, botuesve… e të tjerë.
Me ndryshimet në Ligjin e vitit 2013, vendos sistemi elektronik për regjistrimin e veprave të transmetuara me të drejtë autori, si edhe përcaktimi i Tarifës, por edhe pse u vlerësua se një vendim i Qeverisë për Tarifën do të kontribuonte në një objektivitet më të madh në përcaktimin e shumës së honorarëve, në praktikë kjo mënyrë e miratimit të Tarifës rezultoi e paqëndrueshme. Për shkak të ndryshimeve nga viti 2015 dhe 2016, të cilat i referoheshin saktësisht bazave për përcaktimin e honorarëve në tarifat e organizatave të menaxhimit kolektiv, procedurat për miratimin e tarifave u rifilluan dhe u zbatuan, por asnjë procedurë nuk u përfundua brenda afatit të përcaktuar me ligj. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë e shtetit në rregullimin e të drejtave private është një praktikë e panjohur në vendet evropiane.
Kritika ndaj kësaj mënyre të rregullimit të të drejtave u dha edhe në Raportin e ekspertëve të huaj në kuadër të projektit të Binjakëzimit të BEsë.
“Në zbatimin e Ligjit janë identifikuar probleme, kontradikta dhe paqartësi të shumta, të cilat kanë shkaktuar mospërputhje në zbatimin e tij. Këto kanë ndikuar negativisht në menaxhimin kolektiv të të drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura me të”, thuhet në propozim ligjin e dorëzuar në Parlament.
Qëllimi i ligjit të propozuar është të përcaktojë një bazë normative për krijimin e një modeli efikas për funksionimin e sistemit të menaxhimit kolektiv të të drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura me të dhe licencimin shumëterritorial të veprave muzikore për përdorim në internet, në fushën e menaxhimit kolektiv, në lidhje me mbrojtjen e bashkautorëve të veprave muzikore me tekst, si dhe afatin e mbrojtjes së interpretuesve dhe prodhuesve të fonogrameve të shfaqjeve muzikore të regjistruara, fonogrameve nga 50 deri në 70 vjet, si dhe për të lehtësuar eksesin në botime për personat me vështirësi në shikim. /Koha/