Një në tre qytetar në RMV është përballur me padrejtësi!

    Situata me sundimin e Ligjit dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve në Maqedoninë e Veriut është një çështje që mbetet e ndërlikuar, duke reflektuar sfida të ndryshme nga sistemi dhe të drejtat e individëve që shpesh mbeten të pambrojtura.

    Sondazhi i realizuar nga Instituti për Hulumtime Politike në Shkup përmes projektit “Detektor” tregon një panoramë shqetësuese për respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe efikasitetin e institucioneve të drejtësisë në vend. Edhe pse shumë qytetarë janë përpjekur të adresojnë shkeljet e të drejtave të tyre, pjesa më e madhe nuk ka marrë një zgjidhje të kënaqshme, duke nxjerrë në pah problemet e thella që përballet ky sistem.

    Sipas anketës, çdo i treti qytetar është përballur me shkelje të të drejtave të tij në pesë vitet e fundit, por vetëm një e treta e tyre ka marrë ndihmë nga institucionet shtetërore. Prej 36 për qind të qytetarëve që kanë raportuar se kanë pasur probleme të tilla, 75 për qind kanë kërkuar zgjidhje përmes institucioneve. Pavarësisht përpjekjeve, 66 për qind e të anketuarve thonë se problemi i tyre nuk është zgjidhur, ndërsa vetëm 27 për qind kanë arritur një rezultat pozitiv.

    Për sa i përket institucioneve, 30 për qind e qytetarëve janë drejtuar tek institucionet shtetërore, ndërsa 26 për qind kanë kërkuar ndihmë nga gjykatat. Vetëm një pjesë e vogël e qytetarëve (15 për qind) janë adresuar te Avokati i Popullit dhe 14 për qind janë drejtuar tek policia. Për këtë realitet, juristi Bashkim Selmani për gazetën Koha tha se ky fenomen i ka rrënjët në disa faktorë të thellë institucional dhe politik, duke përmendur këtu ndikimin e korrupsionit dhe ndërhyrjet partiake si pengesa të mëdha në funksionimin e drejtësisë.

    “Nga pavarësia e deri ditët e sotme, ne mbartim padrejtësi nga ish-sistemi që gjithmonë kishin një qëndrim agresiv edhe ndaj shqiptarëve, edhe ndaj maqedonasve. Pastaj, korrupsioni si mjet bazë e zgjeroi rrjetin mes pesë institucioneve dhe e bëri jofunksionale gjykatën, dhe nga ana tjetër të drejtat e qytetarëve u bënë shumë të shtrenjta, pra drejtësia në vend u shit”, thotë Selmani.

    Ndërkohë, sa i përket ndërgjegjësimit të qytetarëve rreth mundësive të mbrojtjes së të drejtave të tyre, Selmani sqaroi se ky është një problem që ka të bëjë me funksionimin e zinxhirit të drejtësisë, ku shpesh qytetarët humbasin të drejtat e tyre që në shkallën e parë të gjykatës.

    “Në gjyqësor janë parapare tre shkallë, por shpesh palët i kanë humbur të drejtat e tyre në shkallën e parë, duke e vërtetuar atë në shkallën e dytë dhe duke bërë të njëjtën gjë edhe në shkallën e tretë. Korrupsioni dhe ndërhyrjet partiake janë faktorët që e bllokojnë sistemin dhe e bëjnë të pamundur që qytetarët të dinë ku të drejtohen”, shtoi ai.

    Në lidhje me rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë, ai numëroi disa aspekte kyçe që lidhen me funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend, ku sipas tij, për të adresuar shqetësimet e qytetarëve dhe për të rritur besimin në këto institucione, është e domosdoshme që të ndërmerren reforma të thella dhe të sigurohet një drejtësi e barabartë për të gjithë qytetarët, pavarësisht etnisë dhe grupeve të ndryshme. Selmani ka analizuar më tej situatën, duke u fokusuar në pasigurinë dhe pabarazinë që ekziston në trajtimin e qytetarëve, veçanërisht atyre shqiptarë, brenda sistemit të drejtësisë.

    “Këtu kemi drejtësi nacionale, për shembull, kur janë në pyetje shqiptarët, organi i drejtësisë i godet ata, ndërsa maqedonasit i përkëdhel. Emërimi i gjyqtarëve, ku shqiptarët përfaqësohen 11 me 1, është një problem bazë që anashkalon të gjitha të drejtat e shqiptarëve dhe nuk korrespondon me të drejtat e tatimpaguesve. Pastaj, duhet të ketë edhe gjyqtarë nga jashtë, të pavarur, për arsye se jemi një vend i vogël dhe drejtësia shpesh dredhon edhe aty ku nuk ka korrupsion. Po ashtu, aty ku gjykohen shqiptarët, duhet të ketë edhe trupa gjykues ndërkombëtarë, sepse shpesh kemi parë që për shqiptarët dënimet janë 1.000 euro, ndërsa për maqedonasit 1.000 denarë”, përfundoi Selmani, duke theksuar se vetëm ndërhyrja ndërkombëtare do ta shpëtonte gjyqësorin, sepse nuk mund të kemi një gjyqësor të pavarur me një qeveri me buxhet të varur.

    Ndryshe, anketa e “Detektor” është realizuar me telefon nga data 24 deri më 27 dhjetor 2024, dhe përfshiu gjithsej 1066 të anketuar.

    Lajmi Paraprak

    Bexheti: punësimet e shqiptarëve në administratën shtetërore nuk janë në nivelin e duhur

    Lajmi i rradhës

    Të rinjtë në Ballkan përdorin më shumë kanabisin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë