Një protestuese paraqitet në transmetim të drejtpërdrejtë në kanalin rus

    Një protestuese kundër luftës është shfaqur në transmetim të drejtpërdrejtë gjatë edicionit të lajmeve në televizionin shtetëror të Rusisë, Channel One, më 14 mars, duke mbajtur një mbishkrim mbrapa prezantueses, në të cilin dënohej lufta në Ukrainë.

    Mbishkrimi – në gjuhën angleze dhe atë ruse – shkruante: “Jo luftës. Ndaleni luftën. Mos i besoni propagandës. Ata po ju gënjejnë këtu”.

    Kjo shenjë proteste e pazakonshme ka ndodhur në ditën e 19-të të luftës, e cila ka nisur më 24 shkurt.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak”.

    “Ndaleni luftën. Jo luftës”, ka bërtitur gruaja në shenjë proteste, derisa prezantuesja ka qenë duke lexuar lajmet.

    Televizioni e ka larguar shpejt nga ekrani, duke transmetuar një material tjetër.

    Televizioni shtetëror është burimi i vetëm i lajmeve për miliona rusë.

    Ai mbështet linjën e Kremlinit, sipas të cilit Rusia është detyruar të veprojë në Ukrainë për ta çmilitarizuar këtë shtet dhe për ta denazifikuar, si dhe për të mbrojtur rusisht-folësit nga “gjenocidi”.

    Ukraina dhe pjesa më e madhe e botës kanë dënuar këtë pretendim, duke e konsideruar pretekst të rremë për pushtim të një vendi demokratik.

    Protestuesja, e identifikuar nga disa organizata si Marina Ovsyannikova, ka qenë punëtore e televizionit.

    Agjencia e lajmeve, TASS, ka thënë se ajo mund të përballet me akuza për shkelje të ligjit kundër diskreditimit të forcave të armatosura.

    Ky ligj, i cili është miratuar më 14 mars, dënon shkeljet e lidhura me diskreditim të forcave të armatosura në deri 15 vjet burgim.

    Gati 3 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës tre javë më parë.

    Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

    Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Pjesë nga libri ‘Kronika të një shoqërie likuide’

    Lajmi i rradhës

    Helmimi dhe gjuetia ilegale kanë zhdukur faunën, por në RMV akoma nuk ka dënime për krimin mjedisor në vend

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë