NJË SISTEM I PANDËRGJEGJSHËM! 2 prilli – dita botërore e autizmit

    Fotografia: Freepik

    Dita ndërkombëtare e ndërgjegjësimit për autizmin – 2 prilli, shërben si një kujtesë për nevoja të pafundme që ka komuniteti i individëve me autizëm dhe rëndësinë e mbështetjes për ta. Në Maqedoninë e Veriut, ku sfidat për prindërit dhe fëmijët me autizëm janë të shumta, kjo ditë merr një kuptim të thellë për t’i dhënë zë kërkesave të tyre dhe për të rritur ndërgjegjësimin për nevojën e përfshirjes sociale dhe edukative të fëmijëve autik.

    Semiologu Bujar Hoxha, i cili është gjithashtu prind i një djali me autizëm për 15 vite, ka ndarë shpeshherë mendime për këtë fenomen, madje ka bërë edhe shumë punime shkencore sa i përket autizmit. Ai, për gazetën Koha thotë se derisa prindërit e fëmijëve me autizëm janë më të informuar se më parë dhe kanë mësuar si t’i trajtojnë fëmijët e tyre autik, ata vazhdojnë të përballen me shumë sfida, përfshirë një sistem pa mbështetje të mjaftueshme. Hoxha është i revoltuar me institucionet shtetërore dhe private, pasi konsideron se ato nuk e kanë trajtuar si duhet çështjen e fëmijëve me autizëm në vend.

    “Institucionet nuk i japin të drejtat që ata meritojnë dhe gjithçka bie mbi shpatullat e prindërve, që shpesh janë të detyruar të lënë punën për t’u kujdesur për fëmijët e tyre. Ky është një problem i madh, veçanërisht për prindërit që punojnë dhe nuk kanë mundësi të merren me nevojat e fëmijëve të tyre në mënyrë të vazhdueshme. Sa i përket qendrave rehabilituese, mendoj se ka një nevojë urgjente për asistentë, e deri sa ka mungesë të asistentëve mendoj që edhe shumë gjëra nuk kanë ndryshuar nga dhjetë apo 15 vite më parë, sepse kështu shteti ka lënë në harresë ndërsa prindërit mundohen të gjejnë zgjidhje shpesh vetë”, theksoi Hoxha, duke shtuar se fëmijëve autik duhet të ju japin më shumë mundësi që të kenë një jetë më të mirë.

    Ndërkohë, Shoqata Shkencore e Maqedonisë për Autizëm ka reaguar gjithashtu në një kumtesë për media me rastin e kësaj dite. Ata theksojnë se autizmi është një fenomen që prek shumë individë dhe duhet të trajtohet me më shumë seriozitet dhe angazhim nga institucionet përgjegjëse.

    “Dita botërore e ndërgjegjësimit për autizmin është një ditë e dedikuar për të rritur ndërgjegjësimin, nxitjen, kuptimin, pranimin dhe nderimin e jetëve dhe kontributeve të individëve me Aftësi të Spektrit Neuro-autik (ASN). Këtë ditë, ne i japim vlerë diversitetit dhe nxitim përfshirjen në shoqëri. Derisa shifra e individëve në spektrin e autizmit është rritur, duhet të pranojmë se autizmi është një mënyrë tjetër për të përjetuar botën, një dëshmi e pasurisë së ndryshueshmërisë njerëzore. Kjo ditë nuk është vetëm për të rritur ndërgjegjësimin, por për të pranuar dhe vepruar, për të thyer barrierat e stereotipeve dhe moskuptimit që kanë krijuar pengesa për ata që janë pjesë e spektrit të autizmit”, thuhet në kumtesën e Shoqatës.

    Nga atje shtojnë se po angazhohen për t’u siguruar që personat me autizëm të kenë mundësinë të kontribuojnë në mënyrë të plotë dhe të jenë të pranuar për atë që janë, pa diskriminim. Prandaj, siç thuhet, ky angazhim duhet të përfshijë të gjithë ne, si mjekët, edukatorët, rehabilituesit, politikanët dhe punëdhënësit, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë të shoqërisë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë një shoqëri të vërtetë përfshirëse dhe të barabartë për të gjithë. Një tjetër shqetësim që ka dalë në pah dekadën e fundit është mungesa e asistentëve të kualifikuar për fëmijët me autizëm apo edhe fëmijëve me nevoja të veçanta. Derisa shërbimi i asistencës është implementuar që nga viti 2016, dhe më pas është përmirësuar që në vitin 2021 me sistemin e “asistencës arsimore”, shumë prindër akoma përballen me vështirësi të mëdha.

    Ndryshe, Ligji për punësimin e asistentëve në shkollat fillore është miratuar, por ende mbeten probleme në përputhjen e kërkesave, dhe për fëmijët e shkollave të mesme, asgjë nuk ka ndryshuar për momentin. Kjo ka detyruar shumë prindër të lënë punën për t’u kujdesur për fëmijët e tyre, duke i dhënë fund mundësisë për të ndjekur mësimet. Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ende nuk ka publikuar të dhënat e sakta për numrin e fëmijëve që janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi për shkak të mungesës së mbështetjes arsimore.

    Lajmi Paraprak

    Si do të rrisë BE-ja sigurinë e brendshme

    Lajmi i rradhës

    Tërmeti në Mianmar, katastrofë në shumë nivele

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë