Kur ndryshimet politike sollën në pushtet qeverinë aktuale, të rinjtë patën arsye për të shpresuar. Në fushatat zgjedhore u premtua “një qasje e re”, ku rinia nuk do të përmendej vetëm në parulla, por do të bëhej pjesë aktive e zhvillimit.
Në çdo tryezë të komunikimit publik, u përsërit se rinia do të jetë prioritet, u përmendën konvikte moderne, punë për studentët, kuponë për teknologji, digjitalizim, kredi të buta për të rinjtë që nisin biznese, internet falas dhe masa për të përfshirë të rinjtë në vendimmarrje. Të gjithë këta elementë u prezantuan si pjesë e një strategjie kombëtare për t’i dhënë fund emigrimit masiv dhe për t’ia kthyer të ardhmen vendit përmes të rinjve.
Por një vit më pas, entuziazmi është zëvendësuar nga një zhgënjim i thellë. Sipas analizës më të fundit të realizuar nga Forumi Rinor Arsimor në bashkëpunim me Finance Think, Qendrën Maqedonase për Edukim Qytetar dhe Shoqatën Mjekësore Maqedonase, vetëm 2 nga 15 premtimet kyçe për rininë janë përmbushur. Të tjerat ose janë në proces të papërcaktuar, ose nuk janë prekur fare.
Një nga pikat që qeveria e konsideron të realizuar është transformimi i Agjencisë për Rini dhe Sport në Ministri për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Por në vend që kjo të përmirësonte politikat rinore, ajo ka sjellë ngërç të ri administrativ. Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Risto Saveski, që përkohësisht mbulon dhe sektorin e rinisë, tha se ministria e re është ende në proces formimi.
“Ministria e re ekziston vetëm në letër. Kemi një vendim qeverie për themelimin e saj dhe një hapësirë të caktuar në godinën e Ministrisë, por nuk ka staf, nuk ka buxhet të ndarë dhe nuk ka ende një drejtues që të mund ta artikulojë prioritetin rinor në nivel qeveritar. Aktualisht funksionon vetëm një njësi e quajtur ‘Qendër për Kërkime mbi Çështjet Rinore’, por as ajo nuk ka kompetenca ekzekutive. Në këtë fazë, jemi larg nga çdo ndikim konkret mbi politikat rinore. Është një fillim formal që ende nuk prodhon asgjë për rininë në terren”, theksoi Saveski.
Një tjetër premtim i paralajmëruar me bujë ishte dhënia e kuponëve prej 250 euro për blerjen e pajisjeve teknologjike për mbi 50 mijë studentë. Edhe pse kjo masë u prezantua si një nismë që do të niste në fund të vitit të kaluar, asnjë aplikim nuk është hapur deri më sot. Për këtë Saveski tha se procesi është i bllokuar për shkak të mungesës së linjës buxhetore të veçantë dhe të vonesave në përgatitjen e sistemit digjital për shpërndarjen e kuponëve.
“Nëse gjithçka shkon sipas planit, mund të realizohet në gjysmën e dytë të këtij viti akademik. Por një pjesë e madhe e studentëve të cilët do të diplomojnë deri atëherë nuk do të përfitojnë. Jemi të vetëdijshëm se kjo po kthehet në një zhgënjim masiv, por ne nuk mund të premtojmë diçka pa e pasur të siguruar në aspektin financiar dhe teknik”, u shpreh ai.
Sa i përket platformës për praktika studentore, të dhënat tregojnë se ajo ekziston vetëm si faqe interneti me përmbajtje minimale. Shumë studentë raportojnë se kanë aplikuar, por nuk kanë marrë kurrë përgjigje, ndërsa nuk është publikuar asnjë informacion mbi kompanitë që janë angazhuar në këtë program. Nga ana tjetër edhe aplikacioni i premtuar për të rinjtë, që do t’u mundësonte përfitime në transport, kulturë dhe shërbime të tjera, nuk është zhvilluar ende. Ministria nuk ka caktuar një organ bartës, ndërsa procedurat e prokurimit nuk kanë nisur fare.
Në përmbledhjen e të dhënave nga platforma për ndjekjen e realizimit të Programit për Punë të Qeverisë, “Compass”, shihet se nga të gjitha angazhimet që lidhen me të rinjtë, vetëm nëntë për qind janë të përmbushura. Organizatat rinore theksojnë se kjo tregon mungesë serioze të përkushtimit politik.
“Premtimet për rininë janë kthyer në një listë idesh që tingëllojnë bukur, por nuk kanë as afate, as bartës institucional dhe as mjete për realizim. Kjo nuk është më vetëm dështim në menaxhim, por është zhgënjim për një brez të tërë që vazhdon të largohet nga vendi sepse nuk i sheh perspektivat as në arsim, as në punësim, as në zhvillim”, përfundon Risto Saveski.
Ndryshe, pyetja kryesore do ti ishte se a mund të presin të rinjtë për reforma që ecin me ritme burokratike, pasi e përditshmja e tyre është larg kësaj pritjeje. Çdo vit, mijëra studentë diplomojnë pa ndonjë praktikë reale pune, të tjerë detyrohen të punojnë në sektorë informalë për të mbijetuar gjatë studimeve, dhe një pjesë nuk regjistrohen fare në fakultet, sepse nuk shohin kuptim. Politikat që nuk japin as ndihmë, as perspektivë, janë më shumë barrë sesa mbështetje. /Koha/