Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska vlerëson se ndryshimet e paralajmëruara në sistemin arsimor janë mundësia e vetme për të kapur trenin e fundit për tu bërë pjesë e një hapësire arsimore europiane. Një vit pas marrjes së këtij posti, Janevska mendon se është punuar shumë mirëpo, siç tha ajo, rezultatet do të jenë të dukshme në përmbyllje të mandatit të parë të kësaj Qeverie.
“Duke bërë këtë, duke futur modernizimin e sistemit arsimor, ne në fakt po kapim trenin e fundit për të hyrë në hapësirën arsimore evropiane. Fatkeqësisht, në shtatë vitet e fundit, nuk është bërë asgjë në procesin arsimor që mund të na çojë drejt hapësirës arsimore evropiane. Mendoj se rezultatet bëhen të dukshme edhe pas një viti, por sigurisht që pres, sepse ky është arsimi dhe ky është një proces, që ato të jenë qartësisht të dukshme deri në fund të mandatit të parë të kësaj qeverie”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Pavarësisht zhvillimeve në teknologji, Janevska tha se kushtet në vend akoma nuk lejojnë të zbatohet mësimi në shtëpi për raste të caktuara. Sipas Janevskës, në shumë shkolla mungon infrastruktura dhe pasje të modernizuara për zhvillim të procesit mësimor.
“Kriza gjatë koronës dëshmoi se nxënsit tanë, prindërit po edhe mësimdhënësit, një pjesë e caktuar e tyre akoma nuk janë të përgatitur për një gjë të tillë, as për mësim online, nuk kemi kushte dhe nuk kemi mësimdhënës të përgatitur. As në familje nuk mund të sigurohen kushte të mira për mësim në shtëpi e as mësimdhënësit tanë nuk janë të trajnuar që nëse paraqitet nevoja këtë ta realizojnë në shtëpi”, shtoi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Në përvjetorin e parë të punës si ministre, Janevska nuk përfshiu në llogaridhënien e saj zvarritjen e punimeve në shkollën fillore “Liria” të fshatit Zhitoshë të Komunës së Dollnenit, çështjen e shkollës në Banjicë, mungesën e shumë teksteve për shkollat profesionale dhe shumë problematika të tjera. /Alsat/