Nuk na i mban xhepi prodhimet bio

    Prodhimtaria organike e ushqimit në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet dobët. Të dhënat statistikore tregojnë se në vitin 2021 ka pasur 4277 hektarë të mbjella me prodhime organike, ndërsa janë regjistruar 929 prodhues. Trualli i mbjellë me prodhime organike në vend po shënon ulje edhe në raport me vitin 2011, kur janë mbjellë 6581 hektarë me këso prodhime. Me fjalë tjera, jo vetëm që po ngec prodhimtaria organike, por po mbesin pas edhe në raport me shtetet tjera të Ballkanit ku vetëm në Mal të Zi – me një popullsi dhe tokë bujqësore tre herë më të vogël se ne, janë të regjistruar 516 prodhues organik. E të mos flasim për rritjen e tokës bujqësore në Evropë prej 5.7 për qind në vitin 2010 në 9.1 për qind në vitin 2020 të përfshirë në prodhimtari organike, për dallim prej nesh ku nuk arrin as 1 për qind. Profesoresha në Fakultetin e Bujqësisë në Shkup, Biljana Kuzmanovska, thotë se jo vetëm në Maqedoni, por edhe rajon janë konstatuar më shumë dobësi të prodhimit organik.

    “Kemi nivel të ulët të besimit në prodhimin organik së bashku me fuqinë e dobët blerëse të konsumatorëve, treg vendas të pazhvilluar, si dhe ndërgjegjësim të pamjaftueshëm të konsumatorëve për përfitimet e përdorimit të produkteve organike. Njëherësh, pjesa më e madhe e prodhimit organik është e destinuar për eksport, si dhe ka disponueshmëri të paqëndrueshme dhe të pabarabartë të produkteve organike”, thekson Kuzmanovska.

    Nga ana tjetër, shteti me vite po mbështet edhe me subvencione prodhimtarinë organike. Prodhuesit organikë vitin e kaluar kishin në dispozicion subvencione në vlerë prej 104 milionë denarë. Shumica e tyre janë të destinuara për mbështetje financiare për prodhimtarinë blegtorale organike, si dhe për aktivitete të caktuara në prodhimin dhe tregtimin e ushqimeve organike.

    Prodhuesja e ushqimit organik, Suzana Dimitrievska, vlerëson se shteti duhet të investojë më shumë në përpunimin dhe magazinimin e prodhimeve organike me qëllim që të arrihet çmimi real. Nevojitet gjithashtu zhvillimi i mbështetjes konsultative për kalimin nga prodhimi organik në atë konvencional.

    “Vendi ka kushte shumë të favorshme agro-ekologjike për prodhimin organik dhe mundësinë e kulturave të përziera, të cilat do të zgjidhin shumë probleme. Prandaj nuk duhet të humbasim rastin të riorientohemi sa më shpejt dhe të pozicionohemi si vend në tregun botëror si një prodhues organik i afirmuar”, thekson Dimitrievska.

    Padyshim që vetëm subvencionet nuk mjaftojnë për të rritur atraktivitetin e këtij lloji të prodhimit, i cili kërkon edukim të vazhdueshëm dhe aplikim të teknologjisë, prandaj të rinjtë duhet të motivohen në mënyra të tjera për t’u bërë fermerë. Përfitimet nga shtimi i sipërfaqeve do të ishin të shumanshme, jo vetëm duke hapur mundësi për konkurrencë më të madhe të prodhimit vendas në tregjet e huaja, por edhe me pakësimin e aplikimit të preparateve kimike, si dhe mundësitë për të mbrojtur tokën dhe ujin nga ndotja. Prodhuesit e ushqimit organik në vitin 2023 u subvencionuan me 52 milionë denarë dedikuar për blegtorinë organike, ndërsa 25 milionë denarë për prodhimtarinë bimore. Fermerët mund të marrin subvencione për produktet organike, për përpunimin dhe ambalazhimin e prodhimeve deri në 150.000 denarë për përdorues.

    Me 5 për qind ose deri në 150.000 denarë përkrahet edhe tregtia, eksporti i produkteve organike të freskëta dhe të përpunuara dhe kalimi nga prodhimi jo organik në atë organik. Shpenzimet për kontrollin dhe certifikimin e ekspertëve i mbulon shteti me 50 dhe 80 për qind, por jo më shumë se 12.000 denarë vijojnë për analiza të vetive të tokës, zbulimin e mbetjeve të pesticideve, metaleve të rënda dhe substancave tjera të dëmshme. Mbështetje financiare mund të marrin të gjitha ekonomitë bujqësore që kanë certifikatë për prodhim organik për bashkëfinancim të kostove të kontrollit dhe certifikimit të ekspertëve në masën 50 për qind. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Zgjedhjet në RMV do të kushtojnë 17 milionë euro!

    Lajmi i rradhës

    Personat nga lista e zezë, do të ndiqen edhe me ligj në RMV

    Lajme tjera

    Moti sot

    Me diell dhe e ngrohtë me vranësira të ulëta deri në mesatare. Pasdite do të ketë zhvillim lokal…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë