Organizatat joqeveritare Fronti 21/42 dhe Ohri SOS kërkojnë që të ndërpritet ndërtimi i hotelit të familjes Mijallkov, i cili po ndërtohet për të dytin vit në vend atraktiv në lagjen Goricë në Ohër, në bregun e liqenit dhe kthimin e hapësirës në gjendjen paraprake.
Ata shtojnë se hoteli ndërtohet në mënyrë joligjore. I bëjnë thirrje Qeverisë, Ministrisë së Mjedisit dhe komunës së Ohrit që një gjë të tillë ta bëjnë urgjentisht dhe pa vonesë t’i zbatojnë obligimet kushtetuese dhe ligjore.
“Kompleksi i hotelit “Divelop Group” po ndërtohet me leje joligjore të ndërtimit, e lëshuar nga komuna e Ohrit më 06.04.2012, në bazë të një projekti për të cilin nuk është kryer vlerësimi i ndikimit ndaj mjedisit dhe për të cilin nuk ka asnjë vendim për miratimin për zbatimin e projektit nga Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor. Ligji për mjedisin jetësor dhe Ligji për ndërtim qartë e nënvizojnë se leja e lëshuar është e pavlefshme. Kryetari aktual Pecakov ka për detyrë ta shpallë të pavlefshme këtë leje”, thonë nga FRONTI 21/42 dhe OHRID SOS.
Por Pecakov thotë se sipas planit të menaxhimit të Ohrit, objekti i plotëson të gjitha kushtet, sepse nuk ka qenë në vijën 50 metra nga bregu i liqenit të Ohrit. Ai pyet pse po ngrihet kaq shumë pluhur për këtë çështje.
“Nuk është as katër kate, por është tre kate dhe ka 22% të shfrytëzimit të parcelës. Nuk mendoj se çdo pranverë duhet të diskutojmë të njëjtën temë, sepse edhe më herët ka pasur përgjigje dhe tashmë çështja ka marrë fund. Këto vite komuna nuk ka nënshkruar asnjë dokument. Që të vlejë leja e ndërtimit, dy herë është ndryshuar ligji, në vitin 2017 dhe 2019 sepse ka afat”, tha Kiril Pecakov – Kryetar i komunës së Ohrit..
Organizatat joqeveritare theksojnë mangësi të tjera në zbatimin e ligjit. Ata thonë se miratimi i objektit nga viti 2012 nuk ka pasur vulë për plotfuqishmëri kurse komuna e Ohrit ka lëshuar leje pa elaborat për mjedis jetësor dhe se ndërtimi i paligjshëm është bërë në bazë të një plani urbanistik ilegal, të miratuar në vitin 2007. /Alsat/