OKB-ja bën thirrje për zgjidhje ndërmjet dy shteteve, Nentanyahu refuzon sërish

    Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e ka përsëritur thirrjen për zgjidhje me dy shtete, teksa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyaju e ka refuzuar sërish mundësinë e një shteti sovran palestinez.

    “E drejta e popullit palestinez për të ndërtuar shtetin e tyre, duhet të njihet prej të gjithëve”, ka thënë Guterres të shtunën në Kampala, në një takim me kombet që kanë qenë neutrale gjatë Luftës së Ftohtë.

    “Refuzimi për të pranuar zgjidhjen me dy shtete për izraelitët dhe palestinezët, dhe mohimi i të drejtës së shtetësisë së popullit palestinez, janë të papranueshme”.

    Sipas Guterresit, mohimi i zgjidhjes me dy shtete po zgjat konfliktin, që është kthyer në kërcënim global për paqen dhe sigurinë, dhe po kontribuon në polarizim dhe forcim të ekstremizmit në çdo vend.

    Ai i ka përsëritur thirrjet për armëpushim të menjëhershëm në betejën në mes të Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

    Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

    Pas sulmeve të Hamasit në Izrael – duke lënë mbi 1.200 njerëz të vrarë dhe duke marrë 240 pengje – ushtria izraelite ka nisur ofensivë tokësore dhe ajrore në Gaza, me qëllim të shkatërrimit të Hamasit.

    Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë rreth 25.000 njerëz, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

    Për dallim prej Guterresit, Netanyahu e mohon në vazhdimësi idenë e një shteti palestinez, pasi të përfundojë konflikti në Gazë.

    “Nuk do të bëj kompromis në kontrollin e sigurisë mbi gjithë zonën në perëndim të Jordanisë – dhe kjo është në kundërshtim me shtetin palestinez”, ka thënë ai të shtunën, duke e përsëritur qëndrimin që çdo zgjidhje në të ardhmen e afërt duhet të përfshijë kontrollin ushtarak izraelit mbi gjithë Bregun Perëndimor.

    Shtetet e Bashkuara, aleate të mëdha të Izraelit, janë, po ashtu, duke e çuar përpara zgjidhjen me dy shtete. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Reklama e Apple-it që shpërlau trurin e Amerikës!

    Lajmi i rradhës

    Punojnë 48 orë në javë, por shumë punonjës paguhen nën pagën minimale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë