Pas pikës kufitare “Bllacë”, prej sot sistemi “One Stop Shop” me një pikë kontrolli ka nisur edhe në pikën kufitare “Jazhincë”. Në përurim të pranishëm ishin zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla dhe ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, përcjell Nistori.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla tha se policia e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë kanë bashkëpunim shumë të mirë në parandalimin e keqpërdorimeve dhe krimeve ndërkufitare.
“Po vërehet një bashkëpunim shumë i mirë i dy policive në mënyrë që të parandalohet çfarëdo keqpërdorimi apo vepre në kuptimin e shkeljeve ligjore, apo sa i takon kufirit dhe krimeve ndërkufitar apo çfarëdo aktiviteti tjetër ilegal”, tha Sveçla.
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti tha se me hapjen e One Stop Shop në pikën kufitare në Jazhincë, është afruar Tetova me Prishtinën dhe qytet e tjera, që siç tha, siç ndodhi që Shkupi është afruar me Prishtinën. Mexhiti shtoi se po realizohen projekte që lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave dhe tha se, plani është që e njëjta të bëhet edhe në Tabanoc dhe Qafë Thanë.
“Sot e bëjmë Tetovën më afër me Prishtinën he qytetet e tjera, pra dëshmojmë se dy qeveritë, janë qeveri në shërbim të qytetarëve në realizim të projekteve që e lehtësojnë qarkullimin e tyre, edhe qarkullimin e mallrave dhe mendoj se edhe në Jazhincë është një kontribut në funksion të qytetarëve dhe të lëvizjes së tij. Plani është që të vazhdojmë në Tabanoc, në Qafë Thanë dhe të gjitha kufijtë të jenë lehtësues”, tha Mexhiti.
Gjithashtu ministri i Punëve të Brendshme të RMV, Pançe Toshkovksi tha se këto projekte do të zbatohen edhe me Shqipërinë dhe Serbinë. Toshkovski shtoi se kudo që është e mundur, të zbatohet në afat sa më të shkurtër në mënyrë që qytetarët e Ballkanit të mund të komunikojnë dhe të lëvizin sa më shpejtë. /Nistori/