Opozita alarmon: shqipja “përjashtohet” edhe nga parlamenti!

    Gjuha shqipe nuk po përfillet në shtëpinë ligjvënëse, edhe përkundër asaj se me Kushtetutë dhe ligj parashikohet respektimi i gjuhës shqipe, alarmoi opozita shqiptare në seancën e së mërkurës plenare.

    Deputeti i Frontit Evropian, Elmi Aziri, vuri në dukje se materialet në Parlament po u jepen vetëm në gjuhën maqedonase, ndryshe siç e parashikon, siç tha ai Kushtetuta, por edhe rregullorja e Parlamentit, në bazë të nenit 3, alineja 4, në të cilin nënvizohet “Deputeti, funksionar i emëruar, i cili flet, gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, të cilën e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, materialet i pranon me kohë, përkatësisht i dorëzon edhe në gjuhën dhe alfabetin e tij që shërbejnë në seancë të Parlamentit ose në mbledhjet e trupave punues”.

    “Të nderuar, sikurse edhe më herët që kam bërë vërejtje, përsëri do të bëj edhe sot. Ja këto janë disa materiale që sot i kemi pranuar, dhe janë vetëm në gjuhën maqedonase. Insistimi për të mos respektuar rregulloren, për të mos respektuar ligjin e gjuhëve, për të mos respektuar Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, nuk i bën mirë Maqedonisë së Veriut, nuk i bën mirë as këtij Parlamenti, nuk i bën mirë as kohezionit ndëretnik dhe e bën të rrejshme  tendencën deklarative të shumë deputetëve dhe funksionarëve se gjoja Maqedonia e Veriut tenton të bëhen anëtare e BE-së dhe ti përqafojë vlerat e BE-së”, theksoi deputeti i Frontit Evropian, Elmi Aziri, ndërsa i bëri thirrje kryetarit të Parlamentit, Afrim Gashi që njëherë e përgjithmonë të respektojë Kushtetutën dhe gjuhën shqipe dhe të mos bëhet pjesë e skenarit për siç thotë, deshqiptarizimin e Parlamentit.

    “Ju lus të gjithëve që jeni deputet, të bëni një lutje te kryetari i parlamentit Afrim Gashi, që të respektojë  gjuhën shqipe. Cili individ është këtu mbi Kushtetutën, cili individë është mbi rregulloren dhe ligjet.  Insistimin për të de-shqiptarizuar parlamentin e kemi parë që moti, por po e shohim çdo ditë në parlament. Mos të luajë me një të drejtë që është e garantuar me ligj”, theksoi deputeti Elmi Aziri.

    Kryesuesja e seancës Vesna Bendevska tha se përgjigje për këtë çështje, duhet të jep kryparlamentari Afrim Gashi.  

    “Kryetari Afrim Gashi nuk është prezent në këtë seancë, ashtu që vërejtja juaj do të pranohet dhe do të përcillet aty ku duhet”, theksoi Bendevska.  Ajo mes tjerash i tha Azirit se qëllimi i procedurales është të promovohet, e jo të ketë vërejtje konkrete. Kjo e shtyu Azirin që të reagojë: “E drejta juaj për të komentuar çdo fjalë, çdo procedurale, nuk garantohet as me rregullore as me ligj. Ne dëshirojmë që çdo seancë  e Parlamentit të shkojë siç duhet.  Por nëse dëshironi ta luani rolin e paternalistit këtu nuk do t’ua lejojmë, nuk po kërkojmë mendim  dhe vlerësim prej juve. E drejta juaj është vetëm të jepni fjalë”, tha deputeti Aziri. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Visar Ademi, kandidat i pavarur për komunën e Gostivarit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë