OPOZITË E POZITË – partitë shqiptare i reagojnë Maksim Dimitrievskit për flamurin shqiptar

    Bilall Kasami nga koalicioni VLEN thotë se nuk është Maksim Dimitrievski ai i cili duhet të tregojë se kur dhe si të përdoret flamuri shqiptar. Presin nga Dimitrievski të respektojë identitetin kombëtar të shqiptarëve, shkruan Nistori.

    “Nuk është Dimitrievski ai që përcakton kur dhe si do të përdoret flamuri kombëtar. Urojmë që edhe partneri i koalicionit, në këtë rast kryetari i ZNAM të dalë nga retorika parazgjedhore dhe të kuptoj se tani jemi pjesë e qeverisë dhe duhet të punojmë për të mirën e qytetarëve dhe të merremi me punët dhe obligimet të cilat i kemi marrë”, tha mes tjerash Bilall Kasami.

    Nga VLEN u bëjnë thirrje edhe ministrave nga radhët e Lëvizjes Znam që të bashkangjiten në takimin e radhës koordinues, dhe të binden se nuk bisedohet për asgjë tjetër përpos për efikasitetin e zbatimit të detyrave programore.

    Arjanit Hoxha nga Fronti Europian ka reaguar ndaj deklaratës së fundit të Maksim Dimitrievskit nga ZNAM, i cili duke komentuar flamurin shqiptar në mbledhjen koordinuese të ministrave të VLEN në qeveri, tha se nëse vazhdohet kështu, do të dalë nga qeveria. Hoxha në një fotografi ku shihet Dimitrievski me flamur të ish-Jugosllavisë, pyet liderin e ZNAM, se si ka mundësi të mos i pengojë ky flamur, e ti pengojë ai shqiptar.

    “Se kjo shumicë qeverisëse funksionon mbi bazën e vazalitetit të humbësve te blloku shqiptar ndaj shefave të tyre të VMRO-ZNAM dëshmon edhe deklarata e Maksim Dimitrievskit i cili “qortoi” vazalët e tij të VLEN se nuk guxojnë të përdorin flamurin shqiptar në zyrat e Qeverisë. Këtë postim nuk e kam për të dëshmuar se sa të dobët janë vazalët e VLEN por për të pyetur partnerin e tyre të koalicionit Maksim Dimitrievski, se si ka mundësi që mos i pengon flamuri i Jugosllavisë që nuk egiziston më dhe i pengon flamuri shqiptar i cili është i rregulluar edhe me ligj për përdorimin në kuadër të Maqedonisë së Veriut? A duhet ende dëshmi se kjo shumicë ka gjetur partner të dëgjueshëm te shqiptarët që po i ndryshojnë edhe kahjen e orientimit strategjik të vendit, kur kjo u dëshua edhe dje ku gjitha forcat pro perëndimore votun pro rezolutës së Lituanisë kundër ligjeve anti-demokratike të miratuara nga shteti i Gjorgjisë, ndërsa për herë të parë Maqedonia e Veriut rradhitet me votën kundër së bashku me Serbinë!”, shkruan Hoxha.

    Ndaj Dimitrievskit ka reaguar edhe Krenar Lloga nga Aleanca për Shqiptarët, pjesë e Frontit Europian. Lloga tha se askush nuk mund t’ua ndalojë shqiptarëve ta përdorin flamurin kombëtar, ndërsa për Dimitrievskin, tha se mund të lejojë ose të ndalojë flamuj në shtëpinë e tij private.

    “Askush nuk mund t’ua ndalojë qytetarëve shqiptarë të RMV-së përdorimin e flamurit të tyre kombëtar e aq më pak Dimitrievski, ai mund të lejojë ose të ndalojë flamuj në shtëpinë e tij private. Qeveria është shtëpia e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, rrjedhimisht edhe 1/3 së popullsisë së përgjithshme, në këtë rast shqiptarëve. Secili komunitet mund të përdorë flamurin e tij e që janë pjesë preambulës së këtij shteti, si ai turk, boshnjak, vlleh, rom, egjiptian etj. Flamuri shtetëror i RMV-së respektohet nga të gjithë andaj edhe të gjithë duhet të respektojnë simbolet respektive. Etnocentrizmi alla serb që po shfaqet si re e zezë mbi vendin tonë, është ogur i keq, andaj ndaloni eksperimentet mbi shtetin që çdo ditë e më shumë po mundoheni ta ndani e përçani, përvishini mëngët dhe punoni për ardhmërinë e këtij vendi, mjaft me kampanjë paszgjedhore”, ka shkruar Lloga.

    Sipas deputetes Ilire Dauti nga Aleanca për Shqiptarët, servilizmi i VLEN-it na kthen në vitin 1997, kur shqiptarët burgoseshin për flamur.

    “Druanim që po na kthejnë në vitin 2001, para Marrëveshjes së Ohrit, por tani duket që po na kthejnë në vitin 1997 kur burgoseshim për flamur. Deri ku do të shkojë servilizmi i VLEN ndaj supermacisë së VMRO-së? A do të arrini kohën e Rankoviçit? Shqiptarët nuk duhet të shqetësohen, nuk do të arrijnë as në 97′, as në 2001, sepse nuk janë të gjithë shqiptarët siç i do Mickoski. Do ta rikthejmë bashkërisht dinjitetin, e atyre do t’u ngelet vetëm turpi!”, shkruan Dauti.

    E gjithë kjo zhurmë në opinion, pasi lideri i Lëvizjes “ZNAM”, Maksim Dimitrievski ka reaguar ndaj mbledhjes së parë koordinative të ministrave të VLEN në kabinetin e zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti, përcjell TV21. Duke komentuar edhe prezencën e flamurit shqiptar në mbledhje, Dimitrievski thotë se nëse vazhdohet kështu, ZNAM do ta shqyrtojë largimin nga qeveria. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Shkollat profesionale në RMV mbetën me numër të ulët të nxënësve

    Lajmi i rradhës

    Tetovë, masa për parandalimin e fatkeqësive natyrore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë