Pagesa me këste “shpëton” familjet me probleme sociale

    Problemet e theksuara sociale që përjeton një pjesë e konsiderueshme e familjeve dibrane shpeshherë tejkalohen përmes pagesës me këste – jo vetëm për të siguruar dru për ngrohje, mobile dhe inventar për shtëpi, por edhe për artikujt bazë ushqimorë. Kjo është shpesh rrugëdalja e vetme për familjet në nevojë, pasi shpenzimet e përditshme nuk mund të mbulohen me të ardhurat që kanë.

    Kryefamiljarët e këtyre familjeve shfrytëzojnë kontratat që shoqatat e pensionistëve, invalidëve dhe grupeve të tjera kanë nënshkruar, me qëllim që të sigurojnë artikujt e nevojshëm përmes pagesës me këste.

    Aktualisht, në fokus janë drutë për ngrohje, të cilat sigurohen përmes Shoqatës së Pensionistëve të Dibrës. Kjo shoqatë tradicionalisht ka kontratë me ndërmarrjen publike “Pyjet e Maqedonisë – Njësia Stogovë”, për të furnizuar qytetarët me dru me pagesë me këste. Kjo mundësi shfrytëzohet kryesisht nga familjet me probleme sociale. Ato sigurojnë dru për ngrohje nëpërmjet të afërmve të tyre pensionistë, duke ndihmuar kështu veten për përballimin e sezonit dimëror. Më shumë se 1.000 pensionistë çdo vit përfitojnë nga kjo e drejtë, duke marrë dru me pagesë përmes gjashtë kësteve, një ndihmë që ndjeshëm ua lehtëson përballimin e dimrit. Shoqata gjithashtu siguron edhe djathë dhe disa artikuj të tjerë bazikë me pagesë me këste.

    Aktivitete të ngjashme për sigurimin e artikujve ushqimorë me këste ndërmarrin edhe disa institucione që veprojnë në Komunën e Dibrës, por këto mundësi janë kryesisht për të punësuarit e tyre, duke ua mundësuar pagesën me këste në vend të pagesës menjëherë me para në dorë. Megjithatë, edhe familjet me probleme sociale arrijnë të përfitojnë ndonjëherë, përmes ndihmës nga këto institucione ose përmes shoqatave.

    Me mbi 800 familje dibrane që gjenden në listën e përfituesve të ndihmës sociale, dhe shumë të tjera që mbijetojnë me vetëm një pagë mujore, rrjeti tregtar në Dibër, gjatë viteve të fundit – dashur pa dashur – ka filluar të ofrojë pagesë me këste për blerjen e pajisjeve shtëpiake dhe teknologjisë së bardhë. Në të kaluarën, kjo nuk ka qenë praktikë e zakonshme, edhe pse bankat ofronin mundësinë e kredive për bizneset. Vetëm pasi xhiroja e tregtarëve u ul ndjeshëm, filloi masivisht aplikimi i pagesës me këste.

    Me këste sigurohen tashmë edhe artikujt më bazikë ushqimorë si mielli, vaji dhe sheqeri. Në shumë dyqane ushqimore në Dibër, familjet me probleme sociale blejnë me këste. Edhe pse nuk ka garanci për pagesë, tregtarët theksojnë se këto artikuj jepen kryesisht për familje që i njohin dhe për të cilat kanë besim se do të shlyejnë borxhin.

    Kur flasim për mbijetesën e familjeve sociale, duhet theksuar se në shumë dyqane dhe barnatore, numri i borxhlinjve në fletoret e borxheve po rritet çdo ditë. “Jeta e rëndë të detyron të jetosh – ose më mirë të mbijetosh – me borxhe”, thotë një kryefamiljar dibran, i cili prej më shumë se 20 vitesh kërkon punë, por ende nuk ka arritur të gjejë një vend të qëndrueshëm.

    Ai tregon se ka bashkëshorte dhe tre fëmijë dhe se, me punën e tij të përkohshme, shpesh shfrytëzon mundësinë e pagesës me këste – dhe herë pas here, edhe mundësinë për të shënuar emrin e tij në fletoret e borxheve nëpër shitoret e qytetit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Kush ka frikë nga Labubu?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë