Në afatin të parë të përcaktuar me paraqitje elektronike për regjistrim të nxënësve në vitin e parë në shkollën e vetme të mesme në Dibër, SHMK “28 Nëntori”, numri i atyre që janë paraqitur dhe regjistruar është shumë i vogël dhe shqetësues. Edhe pse Ministria e Arsimit ka dhënë edhe afat plotësues dhe pritet që numri të rritet, përsëri drejtoria e shkollës ka ndërmarr aktivitete për të siguruar argumente ligjore për numrin e nxënësve në paralelet.
Me kërkesë të shkollës të mesme “28 Nëntori”, këshilli komunal dha pëlqim për formimin e paraleleve nën 25 nxënës për vitin shkollor 2024/25. Në afatin e parë janë paraqitur dhe regjistruar vetëm 17 nxënës, kurse numri i semimaturantëve që përfundoi shkollimin fillor është afro 200.
Anëtarët të Këshillit të komunës Dibër, në seancën e fundit njëzëri dhanë pëlqim shkollës të mesme komunale “28 Nëntori”, për mundësinë ligjore që paralelet të formohen edhe me më pak nxënës se 25 nxënës, gjë që mundësohet edhe me ligj. Në sqarimet që jep drejtori i gjimnazit, Ramadan Imeri thotë se në afatin për regjistrim elektronik edhe vitin që kaloi numri i nxënësve ka qenë shumë i vogël. Ai shton se pritet që në afatin e ardhshëm të regjistrohen afro 140 nxënës në vitin e parë. Por sipas sqarimeve, vendimi është dashtë të merret nga këshilli komunal për çdo rast që institucioni shkollor të mos ketë probleme gjatë formimit të paraleleve si në gjuhën shqipe ashtu edhe në gjuhën maqedonase.
“Në regjistrimin elektronik janë paraqitur vetëm 30 nxënës nga të cilët janë regjistruar 13 në paralelet me mësim në gjuhën shqipe dhe 4 në paralelen në gjuhën maqedonase”.
Kur jemi tek regjistrimi i semimaturantëve dibran në shkollat e mesme nga viti në vit, numri është duke u zvogëluar. Migrimi ka marrë përmasa të mëdha si në qytet ashtu edhe në fshatrat. Kjo drejtpërdrejt ndikon edhe në uljen e nxënësve. Por siç thonë në shkollën e mesme “28 Nëntori”, në Dibër mësimi realizohet sipas programit gjimnazit të përgjithshëm, në uljen e nxënësve ndikon edhe fakti se një pjesë e semimaturantëve shënohen dhe vazhdojnë shkollimin në shkollat e mesme profesionale siç janë medicina , ndërtimtaria etj.
Me që në Dibër shkolla e mesme nuk ka drejtime profesionale, një pjesë e semimaturantëve regjistrohet në shkollat profesionale të Strugës, Gostivarit dhe Tetovës. Por siç thonë këtu, pritet në fund të muajit gusht dukshëm të rritet numri i të regjistruarve në vitin e parë thonë në shkollën e mesme. Pushteti vendor poashtu pret që edhe ketë vit shkollor që starton në shtator në shkollën e mesme të ketë mbi 14o të regjistruar në vitin e parë. /Koha/