Parisi në hall me çimkat

    Reuters

    Qeveria e Francës është duke i rritur përpjekjet për ta luftuar përhapjen e çimkave në Paris, vetëm nëntë muaj para se kryeqyteti francez të bëhet nikoqir i Lojërave Olimpike Verore.

    Zyrtarët qeveritarë kanë mbajtur takime emergjente ditëve të fundit për të diskutuar se si të luftohet kriza, e cila po merr hov nga postimet e shpeshta në rrjetet sociale dhe debatet televizive.

    Çfarë janë çimkat?

    Çimkat janë insekte të vogla, pa krah, të cilat fshihen nëpër dyshekë dhe shtroja.

    Ato ushqehen me gjak dhe zakonisht i pickojnë njerëzit natën.

    Të konsideruara si një prej “insekteve më të bezdisshme”, ato i mbajnë gjallë trupat e njerëzve.

    Por, ndonëse parazitët mund të infektohen me patogjene njerëzore, ende s’ka studime shkencore se ato mund të përhapin sëmundje.

    Çimkat femërore mund të prodhojnë një deri në pesë vezë në ditë, apo 200 deri në 500 vezë përgjatë jetës së tyre.

    Ato mund të mbijetojnë shumë muaj derisa ta gjejnë ushqimin e radhës, kanë thënë ekspertët e këtyre insekteve.

    Udhëtarët e trenave, vizitorët e kinemave dhe blogeret amerikane në Paris – të cilat kanë qenë në kryeqytetin francez për javën e modës – kanë qenë në mesin e personave që kanë raportuar se kanë parë çimka ose janë pickuar prej tyre.

    Si është përgjigjur Franca?

    Me një përzierje të histerisë mediale, oportunizmit politik dhe ankthit kombëtar, nëse këto krijesa të vogla mund të ndikojnë në organizim të Lojërave Olimpike Veriore Parisi 2024.

    Ligjvënësja e majtë Mathilde Panot e ka prezantuar në parlament një shishe me çimka brenda.

    Shishe e vogël me dy çimka.
    Shishe e vogël me dy çimka.

    Ajo i ka thënë kryeministres franceze Elisabeth Borne se çimkat janë në çdo vend dhe e ka kritikuar Qeverinë për mungesë veprimi.

    “Zonja kryeministre, këto insekte të vogla janë duke u përhapur në gjithë vendin tonë. A do të na duhet të presim që të infektohet gjithë zyra juaj, që ju të veproni”, ka thënë Panot.

    Nëpër trena dhe metro të Parisit janë angazhuar qenë për nuhatje të prezencës së insekteve, ndonëse asnjë nuk është gjetur në transportin publik, kanë thënë zyrtarë të Ministrisë së Transportit.

    Linjë metroje në Nju Jork.
    Linjë metroje në Nju Jork.

    A po përballet Parisi me krizë çimkash?

    Në periudhën 2017 – 2022, më shumë se një në 10 shtëpi franceze ka qenë e prekur nga çimkat, kanë thënë autoritetet shëndetësore.

    Agjencia Kombëtare për Ushqim, Ambient dhe Siguri në Punë, ka thënë se prezenca e çimkave nuk nënkupton mungesë higjiene.

    Disa kompani që luftojnë çimkat kanë thënë se interesimi për to në periudhën qershor – gusht është rritur për 65 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Kontrollimi i tyre kushton shumë dhe zakonisht është i papërballueshëm për familjet me buxhet mesatar.

    Çimkat luftohen me ilaçe të veçanta.
    Çimkat luftohen me ilaçe të veçanta.

    Por, Parisi nuk është vetë.

    Organizata franceze Orkin ka gjetur në raportin e këtij viti se zonat amerikane në Çikago, Nju Jork dhe Filadelfia janë në krye të listës së vendeve që kanë më së shumti prezencë të këtij insekti.

    “Natyrisht, ne tani kemi më shumë çimka se kurrë më parë, sikurse çdo qytet tjetër i madh”, ka thënë Nicolas Roux de Bezieux, bashkëthemelues i qendrës konsulente Badbugs (Çimkat).

    “Mirëpo nuk është në nivelin që ka shpërthyer nëpër televizione”.

    Pse janë përhapur kaq shumë çimkat?

    Entomologu Jean-Michel Berenger i ka thënë të përditshmes Le Monde se disa dekada më parë, çimkat janë kontrolluar me produkte të lira.

    Mirëpo disa prej atyre ilaçeve, shembull DDT, ka dalë se është e rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe është ndaluar përdorimi i tij.

    Shkencëtarët kanë thënë se çimkat gradualisht kanë krijuar rezistencë edhe ndaj ilaçeve tjera.

    Një shtëpi në Francë duke u dezinsektuar me ilaçe kundër çimkave.
    Një shtëpi në Francë duke u dezinsektuar me ilaçe kundër çimkave.

    Përhapja e çimkave në Paris besohet se është rezultat edhe i rritjes së shkallës së turizmit, pas pandemisë së koronavirusit.

    Çimkat zakonisht barten përmes rrobave apo valixheve.

    Si mund ta parandalohet infektimi me çimka?

    Të gjithë sugjerohet që t’i kontrollojnë shtretërit, ulëset në taksi e metro.

    Valixhet duhet të kontrollohen mirë pas kthimit në shtëpi.

    Nëpër shtëpi sugjerohet që edhe të hiqen të gjitha shtrojat dhe të pastrohen në temperaturën më të lartë që e lejon tekstili përkatës. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Shpenzimet e familjeve kosovare – çka tregojnë të dhënat?

    Lajmi i rradhës

    Tiroidja, shkak i shëndoshjes dhe lodhjes

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë