Dibra vazhdon të përballet me mungesën e parkingjeve, një problem që bëhet veçanërisht serioz gjatë sezonit veror. Ardhja e mërgimtarëve në vendlindje dhe rritja e ndjeshme e numrit të shtetasve nga Shqipëria që vizitojnë qytetin gjatë muajve të verës shkakton vështirësi të mëdha në gjetjen e vendeve për parkimin e automjeteve. Ky problem, që përsëritet nga viti në vit, rëndohet edhe më shumë nga fakti se në Dibër parkimi është falas. Si rezultat, në rrugët kryesore të qytetit mund të gjenden automjete të parkuara për javë të tëra, ndërsa vizitorët nga rajoni dhe Shqipëria përballen me vështirësi serioze për të gjetur një vend parkimi për automjetet e tyre.
Çështja e parkingjeve është diskutuar për vite me radhë, por situata vazhdon të mbetet e pandryshuar. Në seancat e Këshillit Komunal të Dibrës është propozuar vendosja e pagesës për parkim, por këto propozime, të paraqitura nga disa anëtarë të këshillit, nuk janë miratuar. Këshilltarët nga koalicioni VLEN vlerësojnë se parkimi falas vetëm sa shton problemet, pasi automjetet qëndrojnë për ditë të tëra në vendparkime, duke mos ndier asnjë detyrim. Ata theksojnë se vendosja e pagesës do të sillte përfitime edhe për buxhetin e komunës.
Dibra vazhdon të mbetet qyteti i vetëm në vend ku parkimi është ende pa pagesë. Autoritetet lokale, të vetëdijshme për situatën, janë në përpjekje për të gjetur hapësira të reja për parkim. Kryetari i Komisionit Komunal për Siguri në Komunikacion, Abdul Koleci, deklaron se problemi është i thellë dhe kërkon një zgjidhje të qëndrueshme. Ai thekson se rrugët kryesore të qytetit aktualisht funksionojnë njëkahëshe, për të krijuar hapësirë për parkim.
Po ashtu, për parkim shfrytëzohen të dy korsitë e Bulevardit “Iliria”, si dhe disa zona afër stacionit policor në Dibër. Megjithatë, sipas vlerësimeve të institucioneve lokale, këto hapësira nuk janë të mjaftueshme, për shkak të rritjes së ndjeshme të qarkullimit të automjeteve. Në seancat e këshillit është potencuar disa herë nevoja për të identifikuar dhe shfrytëzuar hapësira të tjera për parkim. Janë bërë edhe paralajmërime për ndërtimin e një garazhi me kate për parkim, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret në këtë drejtim.
Pushteti vendor ka theksuar nevojën që, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, disa rrugë të qytetit të bëhen njëkahëshe, për të krijuar vende të reja parkimi, veçanërisht në afërsi të Spitalit të Përgjithshëm, stacionit të autobusëve dhe në zona të tjera strategjike.
Me afrimin e verës dhe kthimin e shumë mërgimtarëve, problemi i parkingjeve merr përmasa shqetësuese. Është paralajmëruar se institucionet kompetente do të hartojnë një plan konkret për rregullimin e qarkullimit gjatë verës, duke pasur parasysh se frekuenca e automjeteve trefishohet. Kjo rritje vjen jo vetëm nga shtetasit e Shqipërisë dhe mërgimtarët që përdorin makina me qira (renta car), por edhe nga banorët e komunave fqinje si Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë, që vizitojnë Dibrën. /Koha/