Partitë, të ndara për interpelancën e kryeparlamentarit Gashi

    Qëndrimet mes partive politike, një ditë pas dështimit të interpelancës për kreun e Kuvendit Afrim Gashi, mbeten të ndara. LSDM-ja thotë se në shtet është duke u kthyer pandëshkueshmëria për funksionarët.

    “VMRO-DPMNE-ja bashkë me BDI-në dhe ZNAM-in në seancën e djeshme të Kuvendit e mbrojtën Gashin nga të gjitha skandalet për të cilat opinioni ishte dëshmitarë në periudhën e kaluar. Kjo nënkupton se VMRO-DPMNE-së, BDI-së dhe ZNAM nuk i intereson aspak kush e kontrollon kufirin me Kosovën, çfarë kalon nëpër kufi dhe si. Kjo nënkupton se VMRO-DPMNE-së, BDI-së dhe ZNAM nuk i intereson aspak respektimi i ligjeve në shtet. Mund të konkludojmë se pandëshkueshmëria nga viti 2016 kthehet nga dera e madhe kur funksionarët nuk përgjigjeshin për asgjë”, tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.

    E Majta vlerëson se me mbështetjen ndaj këtyre shkeljeve dhe qëndrimeve populiste, përforcohen partia e tyre.

    “Ky snobizëm dënohet nga votuesit, ndaj ky fenomen i partive populiste thuhet se nxit një revoltë të votuesve kundër pushtetit, të cilët për të justifikuar pozicionin e tyre të përhershëm qeverisës, i konsiderojnë kredencialet, pushtetin dhe paratë e tyre të fituara me meritë. Dhe aty qëndron problemi”, thonë nga E Majta.

    Kanë reaguar edhe nga VLEN. Ata thonë se me mbështetjen që mori kreu i Kuvendit, dështojnë skenarët për destabilizim të opozitës.

    “Mbrëmë, me mbështetjen e madhe që mori kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Afrim Gashi, edhe një ere u dëshmua se shumica qeveritare është stabile dhe nuk ka asnjë shenjë luhatjeje. Përveç kësaj, kjo interpelancë e nxori në skenë edhe koalicionin e ri të destabilizimit të vendit, Levica-LSDM-BDI. Në të vërtetë, Levica është vetëm maja e ajsbergut dhe zëdhënëse e një projekti më të madh të kësaj treshe, që synon destabilizimin e vendit”, thonë nga VLEN.

    Interpelanca ndaj Gashit mori 21 vota për dhe 72 kundër. Për të, deputetët debatuan pothuajse gjatë gjithë ditës së djeshme. Kreu i Kuvendit, interpelancën e nisur nga E Majta e konsideroi si interpelancë ndaj përkatësisë së tij etnike dhe fetare. E Majta, ndërkohë, kishte numëruar një sërë shkeljesh, sipas tyre, si procedurale ashtu edhe ligjore. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Mickoski: nuk ka më futboll në kabinete, nuk ka dallevere dhe vëllezër të cilët lehtësisht bëjnë biznes në RMV

    Lajmi i rradhës

    Shtyhet gjyqi ndaj Lupço Palevskit dhe të dyshuarve tjerë në vrasjen e dyfishtë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë