Pas glorifikimit të Mlladiqit dhe reagimeve të shumta, Kitanoviqi i kërkon falje Mickoskit

    “Sinqerisht i kërkoj falje kryetarit të Qeverisë, z. Hristijan Mickoski, dhe anëtarëve të Qeverisë, të cilët për shkak të postimit tim u përfshinë në mënyrë të panevojshme në një përplasje politike dhe u ekspozuan ndaj sulmeve për diçka për të cilën nuk mbajnë asnjë përgjegjësi”, shkroi sot në rrjetet sociale drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, pasi para tri ditësh, me një postim tjetër ku glorifikohej figura e kriminelit Ratko Mlladiq, shkaktoi reagime të shumta në opinion, përcjell Nistori.

    Kitanoviq thotë se postimin e kontestuar e ka fshirë menjëherë dhe se është i gatshëm të mbajë përgjegjësi për çdo fjalë të tij, por, siç shton, nuk do të mbajë përgjegjësi “për manipulimet e të tjerëve” me fjalët e tij.

    “Nuk do të pranoj që tërheqja ime e postimit të shndërrohet në pranim të diçkaje që nuk e kam bërë. Nuk do të lejoj që mirësjellja ime njerëzore të interpretohet si dobësi. Dhe nuk do të lejoj që përmes meje të ofendohet as populli im, as partia ime. Por, politikanëve që ushqehen me kufoma, gjykatësve të përhershëm moralë dhe atyre që dhimbjen e të tjerëve e shndërrojnë në municion politik, u them: Mos tregtoni me viktimat. Mos ndërtoni karriera politike mbi varre. Mos e përdorni tragjedinë e një populli për ta ofenduar tjetrin. Dhe mos prisni që nën presionin e një gjuetie të organizuar të hesht, ndërsa përmes emrit tim shfryhet urrejtje ndaj popullit tim dhe bindjeve të mia politike”, shkroi Kitanoviq në rrjetet sociale.

    Kërkimfalja e Kitanoviqit vjen pas reagimeve të shumta që shkaktoi postimi i tij për Ratko Mlladiqin, i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Partitë opozitare LSDM, PLD, BDI, por edhe ato në koalicion qeverisës si VLEN dhe ZNAM, kërkuan përgjegjësi dhe veprimin e Prokurorisë, ndërsa reagime pati edhe nga organizatat civile, Komitieti i Helsinkit. Qeveria u distancua nga qëndrimi i Kitanoviqit dhe paralajmëroi se, nëse ai nuk pajtohet me politikat e saj, pritet të japë dorëheqje nga posti i drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Teatri i Tetovës sjell së shpejti në skenë “Magjistarin e Ozit”

    Lajmi i rradhës

    Marrëveshja për presidentin – konsensus me shumë pikëpyetje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë